FMN jep alarmin: Dëm galopant në ekonomi! Borxhi i Shqipërisë do arrijë 83% të PBB!
FMN parashikon se borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë në 83.2% të PBB këtë vit, niveli më i lartë historik që kur Shqipëria doli nga sistemi komunist. Ky rezultat është së paku 3.2 pikë përqindje më i lartë se parashikimet kombëtare të Ministrisë Financave në aktin e fundit normativ për ndryshimin e buxhetit që parashikon se borxhi publik të arrijë në 80% të PBB-së. Për vitin 2019, FMN raporton se Shqipëria e kishte stokun e borxhin publik në 67.7% e PBB-së, rezultat i ngjashëm me raportimet e brendshme, por për këtë vit dhe në vijim më 2021 projeksionet janë të larta, duke arritur në 83.2% e PBB-së për çdo vit. Sipas koherencës që FMN ka ndërtuar për borxhin e Shqipërisë, më të dhëna që nga viti 1997, Shqipëria është përballur me një raport të lartë të detyrimeve publike me PBB-në, ku përveç këtij viti, në vitin 1997 dhe në 2015, ku treguesi shënoi respektivisht 72.2 dhe 73.7 % të PBB-së.
Ekonomia shqiptare ka përjetuar zhvillimet më pozitive në dhjetëvjeçarin e dytë gjatë tri dekadave të tranzicionit. Ecuria pozitive në tregjet ndërkombëtare e kombinuar edhe me investime në tregun e brendshëm e rritën ekonominë me ritmet vjetore mbi 6%.
Europa Perëndimore investoi fuqishëm në këtë periudhë, investime u futën në telekomunikacione dhe në sektorin bankar. Rritja e kredisë për ekonominë me ritme të larta i dha hov konsumit dhe investimeve në vend e për pasojë bilancet fiskale u përmirësuan. Kjo ecuri ndikoi për mirë ecurinë e borxhit publik deri sa ndodhi kriza financiare e vitit 2008, e cila dha një goditje zinxhir ekonominë.
Pandemia ka sjellë një krizë të madhe dhe ka bërë një dëm në llogaritë fiskale. FMN në një deklaratë të fundit pas përfundimit të misionit virtual në Shqipëri ka bërë të ditur se ekonomia pritet të tkurret me -7.5% ketë vit, nga -5% që ishte pritshmëria në prill, kur sa kishte nisur pandemia.
Rritja e të ardhurave dhe një sistem më transparent fiskal si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar është ajo çka na nevojitet, pasi pritet rritje e kredive me probleme. Shqipëria duhet të mbështetje për ekonominë edhe në vitin 2021, por me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, buxheti duhet të përpiqet të arrijë edhe një rënie modeste të nivelit të borxhit. Progres i mëtejshëm nevojitet në fushën e rikrijimit të hapësirës për manovrim me politikën buxhetore nëpërmjet uljes së defiçitit fiskal duhet të trupëzohet në një program buxhetor afatmesëm të besueshëm.