FMN: Kjo krizë më keq se në 2008

FMN-ja paralajmëron se ndikimi ekonomik i pandemisë Covid-19 do të jetë më i keq sesa kriza financiare e vitit 2008. Mbi 90 vende tashmë kanë kërkuar ndihmë nga organizata, e cila apelon për koordinim të masave politike dhe sociale.

Pandemia aktuale nuk ka të krahasuar me asnjë krizë tjetër ekonomike dhe financiare që ka përjetuar bota.

Kur gati gjysma e popullsisë së globit apo rreth 4 miliardë veta qëndrojnë të izoluar, dhe mbi 1 milionë persona janë infektuar nga koronavirusi, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se recesioni ekonomik global është i pashmangshëm.

“Kurrë në historinë e FMN-së nuk e kemi parë ekonominë e botës të ndalet në mënyrë të tillë. Tani jemi në recesion, shumë më i keq sesa ai i krizës financiare globale i 2008-ës,” deklaroi shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, në një mesazh për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Ekonomitë në zhvillim janë më të prekura nga pandemia e fundit, pasi ato nuk kanë resurset e duhura për t’i bërë ballë fenomeneve të papritura ekonomike që ka shkaktuar pandemia.

FMN thotë se do të vërë në dispozicion fondin e saj rezervë prej 1 trilionë dollarë.

“Mbi 90 shtete kanë aplikuar që tani për ndihma, që si prioritet kanë shpenzimet për shëndetësinë, pagesat për doktorët dhe infermieret, funksionimin e spitaleve, ngritjen e klinikave provizore por edhe mbrojtjen e ekonomisë nga vala e falimenteve dhe e shkarkimeve nga puna që do e vështirësonin shumë rikuperimin e kësaj krize,” shtoi drejtorja e FMN-së.

Organizata ndërkombëtare nuk e parashikon dot sa kohë do të marrë dalja nga situata pandemike por apelon për veprime të koordinuara mes shteteve.

OBSH-ja të premten këshilloi të mos nxitohet me heqjen e masave të izolimit të popullatave kundër koronavirusit, pasi kjo do të rrezikonte përkeqësimin dhe shtimin më tej të krizës ekonomike por edhe të bilancit të viktimave që tani kanë arritur 60 mijë.

SHKARKO APP