”Foltorja”, Berisha: Nuk e imagjinoja, por është i vetmi zë ku demokratët po besojnë
Sali Berisha i cili në një konferecnë për mediat deklaroi vendimin e tij për tu rikthyer si kryeministër, tha se kur ka nisur lëvizja ”Foltorja” nuk e mendonte se do të kishte këtë sukses që ka sot. Berisha tha se ”Foltorja” sot është kthyer në një dritë shprese dhe i vetmi zë ku demokratët po besojnë. Sipas tij kjo lëvizje është për të kthyer PD-në atje ku duhet, për ta bërë një forcë të vërtetë opozitare dhe konkurruese për të qenë në qeveri.
”Prej më shumë se një muaji mori jetë në një moment kritik të historisë së pluralizmit lëvizja e një grupi deputetësh drejtues, qendror e lokal të PD, anëtarë dhe anëtare të kësaj partie me qëllimin më madhor ringritjen e PD.
Shndërrimin e saj në një forcë vigane opozitare dhe me mision çmonimin e narko-shtetit dhe rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë. Rivendosjen e shtetit ligjor. Ky proces, para të gjithash dhe mbi të gjitha ka një kusht për shndërrimin e PD në një forcë konservatore në Shqipëri.
Kjo përballje e suksesshme, kjo lëvizje që tronditi Shqipërinë dhe u shndërrua në dritën e fundit të tunelit ku ishin futur shqiptarët, është pas asaj të 1991 lëvizja e dy më historike. Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve djallëzore të qeverisë dhe aleatëve të saj që të ndaloj në këtë lëvizje, me deklarata absurde me qëndrime anti-demokratike, por të gjithë dështuan. “Foltorja” kaloi nga suksesi në sukses, kaloi si dritë shprese, nga shpirti në shpirt”.