Fondacioni i qeverisë britanike: Fushatat në Shqipëri shumë të shtrenjta. 1 kandidat për deputet harxhon 300 mijë euro!
I ftuar në emisionin “Passport” të gazetarit Arbër Hitaj, në televizionin “SCAN” ishte Sokol Haxhiu, drejtuesi i Fondacionit Westminister për Demokraci, që financohet dhe mbështetet nga Qeveria Britanike. Gjatë intervistës zoti Haxhiu thotë se është hartuar një raport me titull “Kostot e Politikës në Shqipëri”, me intervista të vetë kandidatëve për deputet dhe kryetarë bashkish qe kane humbur apo kane fituar ne zgjedhje.
Nga raporti rezulton se për një fushatë zgjedhore ka kandidatë që shpenzojnë mbi 300 mijë euro, ndërsa për bashkitë e vogla shpenzimet fillojnë që nga 20 mijë euro e vijojnë në 50 mijë e 100 mijë.
“Publiku njeh vetëm atë që partitë politike deklarojnë, që është vetëm një përqindje shumë e vogël e asaj që është në të vërtetë. Por ajo që ne dimë është se fushatat janë shumë të kushtueshme. Një nga indikatorët janë edhe njerëzit që partitë politike përpiqen të afrojnë.
Janë njerëz me shumë para, me shumë influencë në zonat e tyre.
Një nga arsyet është kontributi i drejtëpërdrejtë që këta persona bëjnë, jo vetëm për fushatën e tyre por edhe te të tjerëve. Pra duke qenë kosto të larta deri në 300 mijë euro, për një kandidat edhe për kryetar bashkie por edhe për një deputet, para që duhet t’i kesh dhe t’i harxhojë për t’i marrë ndoshta në forma të tjera.
Me këto kosto kaq të larta përjashton intelektualët, përjashton të rinjtë.
Kemi bërë një studim për bashkitë dhe për partitë. Për bashkitë e vogla na ka rezultuar se shkojnë nga 20 mijë deri në 50 mijë ose 100 mijë euro, për bashkitë e mëdha shkon më shumë se 300 mijë euro.
Ndërsa për deputet fillon nga 300 mijë euro, kjo është arsyeja që partitë politikë kërkojnë njerëz problematikë për t’u siguruar njerëz problematikë. Por kjo në dëm të njerëzve me ideale. Shifrat i kanë dhënë vetë persona që kanë marrë pjesë në zgjedhje, por që nuk i kanë deklaruar në KQZ” tha Haxhiu.
Sipas zotit Haxhia këto janë shpenzime që nuk deklarohen, por kanë një efekt shumë negativ edhe në afrimin e elementëve cilësorë në politikë, pasi largojnë njerëzit idealist, gratë të rinjtë dhe intelektualët. Sipas tij fushatat në Shqipëri janë bërë shumë të kushtueshme.