Fondet për Ballkanin Perëndimor pas pandemisë

Bashkimi Europian do të ritheksojë vendosmërinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok, por pakoja e investimeve e cila do të prezantohej gjatë samitit të Zagrebit do të shtyhet pas kalimit të pandemisë. Këto hollësi mësohen nga projektrezoluta që po qarkullon mes vendeve anëtare, e cila do të diskutohet zyrtarisht më 6 maj. 

Paketa ekonomike dhe e investimeve që do të prezantohej për Ballkanin Perëndimor gjatë samitit të Zagrebit është shtyrë pas kalimit të pandemisë së koronavirusit. Kjo mësohet nga projektrezoluta që po qarkullon e cila do të diskutohet gjatë videokonferencës që do të zhvillohet midis udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor më 6 maj.

Projektrezoluta u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojë fuqizimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të luftojnë korrupsionin, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe ato gjinore.

Gjithashtu udhëheqësve të rajonit u bëhet thirrje të respektojnë me rigorozitet të drejtat dhe vlerat themelore demokratike, pavarësisht kufizimeve në fuqi për pandeminë e koronavirusit.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian ritheksojnë mbështetjen e tyre të plotë për integrimin në bllok të vendeve të rajonit, dhe kjo sipas projektrezolutës konsiderohet një qëllim strategjik.

“Rritja e ndihmës lidhet me përparimin në fusha si shteti ligjor dhe reformat shoqërore dhe ekonomike, si dhe përmbajtja ndaj vlerave dhe parimeve të BE-së,” thekson dokumenti.

Gjithashtu bëhet thirrje për forcimin e bashkëpunimit rajonal si dhe kërkohet shtim i përpjekjeve për të afrimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe. Kjo çështje lidhet më shumë me dialogun Kosovë – Serbi, për të cilin ka thirrje të vazhdueshme për rifillimin e tij.

SHKARKO APP