“Forca e Ligjit” shpërndan formularë për deklarimin e pasurisë te të dyshuarit në Tiranë, Durrës e Shkodër
Prej ditës së djeshme ka nisur në terren zbatimi i paketës anti-KÇK për goditjen e krimit të organizuar dhe pasurive të paligjshme. Dje Operacioni Forca e Ligjit ka sekuestruar pasuritë e fisit Hajraj në Shijak, anëtarët e të cilit akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Raportohet se OFL ka 150 punonjës që janë oficerë të policisë gjyqësore dhe agjentë që janë trajnuar prej 6 muajsh. Ata po përpilojnë një listë të marrë nga 12 drejtoritë vendore dhe agjencitë ligjzbatuese partnere për personat e dënuar me formë të prerë për vepra të rënda penale ose të hetuar për to.
Të gjithë këtyre personave u jepet një formular për justifikimin e pasurisë dhe kanë afat për plotësim 48 orë. Konkretisht OFL është duke shpërndarë formularët tek personat e dyshuar për aktivitet kriminal dhe pasuri të paligjshme. Pas dorëzimit të formularëve ata do të shqyrtohen nga OFL dhe më pas vijojnë fazat e tjera të operacionit. Mësohet se oficerët e OFL janë të shpërndarë kryesisht në zonën e Durrësit, Tiranës e Shkodrës.