Forcat izraelite shkatërrojnë postin e komandimit të Hamasit
Ushtria izraelite tha dje në mbrëmje se ka kryer një sulm ajror që kishte shkatërruar një post komandimi të Hamasit – në një ish-kompleks shkollor në Jabalia në Rripin verior të Gazës.
Nuk pati raportime nga pala izraelite për luftëtarë të Hamasit të vrarë apo të plagosur apo viktima të tjera.
Por, agjencia palestineze e lajmeve WAFA në Bregun Perëndimor raportoi, duke cituar burime palestineze, se të paktën tetë persona ishin vrarë gjatë sulmit izraelit, përfshirë fëmijë.
WAFA tha se familjet e refugjatëve kishin gjetur strehë në shkollën e mëparshme.
Ushtria izraelite e përshkroi sulmin si një sulm preciz dhe tha se masat ishin marrë paraprakisht për të kufizuar rrezikun ndaj civilëve.
“Në një tjetër incident në Jabalia, tre luftëtarë të armatosur u vranë pasi u shënjestruan nga një dron -ndërsa ishin duke dalë nga një bosht tuneli”, sipas ushtrisë izraelite.
“Shërbimet e zjarrit dhe shpëtimit në Gazën e goditur janë vetëm pjesërisht funksionale”, tha autoriteti lokal i mbrojtjes civile.
“Disa nga automjetet e emergjencës në qytetet e Gazës dhe Khan Younis nuk janë më në lëvizje sepse nuk ka pjesë rezervë për t’i mirëmbajtur ato”, sipas një deklarate nga autoriteti i kontrolluar nga Hamasi.
“Depot e pjesëve të këmbimit dhe punëtoritë janë shkatërruar gjatë luftës nga sulmet ajrore izraelite”, thuhet në deklaratë.
Mbrojtja Civile u bëri thirrje organizatave humanitare rajonale dhe ndërkombëtare që të dërgonin urgjentisht pjesë rezervë dhe pajisje në Gaza, në mënyrë që transporti i shërbimeve të urgjencës të mund të mirëmbahej. //a.i/ ATSH