Forcohet kufiri/”Në sitë” shqiptarët që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së

Të udhëtuarit drejt vendeve të BE-së dhe zonës Shengen, tashmë do të kalojë përmes një site. Policia kufitare ka marrë urdhër për të shtuar listën e dokumenteve që kërkohen në kufi. Një udhëzim i Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, kërkon që punonjësit e kufirit të kryejnë verifikime dhe intervistime të detajuara lidhur me adresën e akomodimit në vendin ku do të udhëtojë qytetari, ftesën e pritësit, biletën apo rezervimin për kthimin, si dhe mjetet financiare për shpenzime në kohën e qëndrimit.

Sipas urdhrit të ri të Ministrisë së Brendshme, qytetarët që e kanë të ndaluar të hyjnë në zonën Shengen që kanë refuzim azili apo që janë deportiv nuk lejohen të kalojnë kufirin deri në paraqitjen e një dokumenti shkresor, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar, që provon se nuk kanë ndalim hyrje, urdhër largimi ose dëbimi në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonën Shengen.

Udhëzimi i kërkon policisë kufitare të verifikojë operatorët turistikë dhe grupet e familjarëve me qëllim parandalimin e rasteve të trafikimit me vëmendje të veçantë tek shtetasit e mitur. Në rastet kur fëmijët do të kalojë kufirin me një prej prindërve, në grupe nxënësisht apo të afërm, duhet të kërkohet deklarata noteriale nga të dy prindërit në emër të personit që e shoqëron.

Në mungesë të prindërve, i mituri nën moshën 16 vjeç lejohet të udhëtojë i shoqëruar nga vëllai ose motra në moshë madhore, gjyshi, daja, xhaxhai, halla, tezja, vetëm në rast se paraqet një deklaratë noteriale të vlefshme, të lëshuar nga të dy prindërit. Në rastet kur nuk plotësohet dokumentacioni i nevojshëm, punonjësi i pikës kufitare urdhërohet të mos lejojë daljen e të miturit nga kufiri shtetëror deri në paraqitjen e dokumentacionit të nevojshëm.

SHKARKO APP