Formula për shpronësimet në Porto Romano: Tokë ose para në dorë

”Pronë private me tokë shtetërore ose para në dorë”, është formula me anë të cilës do të shpronësohen ata që preken nga ndërtimit i portit të ri tregtar të integruar në Porto Romano. Tre ditë nga hapja e garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri, në Fletoren Zyrtare është publikuar edhe vendimi i Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve.

”Nëpërmjet shkëmbimit të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit me të njëjtën vlerë me pasurinë që shpronësohet si dhe nëpërmjet kombinimit të formës së shpërblimit në vlerë financiare me shkëmbimin në natyrë të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit”,-thekson Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve

Janë gjithsej 309 pronarë të pasurive të paluajtshme me sipërfaqe gati 1.5 milionë m2 që preken nga projekti. Vlera e shpronësimeve përllogaritet në mbi 821 milionë lekë. (grafik 1) Kjo shumë do të përdoret në rastet kur nuk do të arrihet marrëveshja për shkëmbim pronë private me tokë shtetërore.

”Në rast se ky kusht nuk plotësohet, mungesa e dakordësisë për dhënien e pëlqimit për trajtimin me shpërblim në natyrën nga ana e subjektit që do të shpronësohet nuk e pengon vijimin e procedurës së shpronësimit, pasi kompensimi i pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, në këtë rast do të bëhet me vlerë financiare”.

Autoriteti Portual Durrës çeli të martën procedurën që ka në objekt ndërtimin e “Porti i Ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano-Faza I” me një fond limit 39.3 miliardë lekë apo rreth 390 milionë euro. Faza e parë e punimeve për portin llogaritet në 1220 ditë apo rreth 3.5 vite.

SHKARKO APP