Forumi, ka edhe studentë pro reformës në arsim

 

Studentë të universiteteve të pavarura jopublike kërkojnë krijimin e një mjedisi konkurues në fushën e arsimit të lartë si e vetmja mënyrë për të garantuar cilësinë në këtë sektor.

Sot në mjediset e Muzeut Kombëtar, ora 13.00, organizimi studentor “Forumi për Universitetin Cilësor” do të zhvillojë një takim mes studentëve të universiteteve private që janë të interesuar për cilësinë dhe zhvillimin e jetës universitare.

Ky takim ka për qëllim të nxisë një diskutim mes atyre studentëve që mbështesin reformën e arsimit të lartë dhe gjithashtu të informojë publikun për shumë nga faktet e shtrembëruara që janë dëgjuar këto kohë në media.

Forumi synon në mënyrë të veçantë të kërkojë një universitet cilësor dhe jo thjesht një institucion që jep diploma.

Forumi mbështetet nga rrjeti i qeverive studentore të universiteteve të pavarura dhe studentë të tjerë që mbështesin reformë. 

Kordinatori i këtij forumi, Elton Ndreka, thotë se në universitetin shtetëror studentit i mungon dinjiteti, ndërsa mungesa e infrastrukturës i privon shumë studentët.

“Në universitetet private studenti merr atë që meriton duke u trajtuar me dinjitet dhe duke gjetur partneritetin përballë pedagogëve dhe stafit të administratës. Mbi ligjin në arsimin e lartë, e rëndësishme për t’u theksuar është se paraja ndjek studentin dhe jo institucionin ku ai shkon. Universitetet private që do të bëhen pjesë e kesaj skeme do të kthehen në jo-fitimprurëse duke investuar të ardhurat sërish brenda institucionit si për shembull në kërkim shekncor, përmirësim infrastrukture apo botime. Ne e mbështesim këtë reformë pasi garanton zgjidhje për të gjitha grupet sociale duke mos privuar asnjë nga e drejta për arsim”.

Për sa i përket eksperiencës së tij në universitetin shtetëror, ai shprehet se mungesa e cilësisë e kthen një vit studim në këtë sektor edhe më të shtrenjtë se në universitetin privat.

“Pikërisht universiteti shtetëror është kthyer në një ndërrmarrje private dhe nuk ka asnjë lloj ndjeshmërie ndaj ardhjes së studentit. Atje blihen libra që i shet profesori, ka mungesë bibliotekash dhe mungesë performance së administratës dhe sekretarive. Nëse kthehen në vlerë monetare, e gjitha kjo shkon më shtrenjtë se sa një vit studimi në cilindo universitet privat”, thotë Eltoni.

Për këtë arsye është i nevojshëm ndryshimi i strukturës së financimit të studimeve duke menaxhuar në mënyrë efiçente paratë publike.

Studentët e “Forumit për universitetin cilësor” kërkojnë akses të barabartë në fonde publike dhe konkurueshmëri mes universiteteve.

SHKARKO APP