FOTO/ 14 vite burg ish-policit shqiptar në SHBA, ndihmonte gangsterët. Ja emri
Një ish-polic shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Bruklin si pjesëmarrës në një organizatë kriminale që shantazhonte bizneset në Queens, Nju Jork.
Ai është Besnik Llakatura 38 vjeç, ish-oficer policie në SHBA me origjinë shqiptare.
Në vitin 2013, Llakatura ishte oficer aktiv në zonën e Staten Island. Njëkohësisht ai ishte anëtar edhe i një grupi kriminal, që drejtohej nga një tjetër shqiptar, Redinel Dervishaj.
Ky grup kriminal u vendoste gjoba bizneseve duke i shantazhuar dhe kërcënuar. Ish-polici Besnik Llakatura shantazhonte biznesmenë, duke i detyruar të paguanin mijëra dollarë në muaj.
Në dhjetor të vitit 2015, Llakatura pranoi fajësinë në Gjykatë dhe u shkarkua nga Departamenti i Policisë së Nju Jorkut. Ai tha para hetuesve se drejtuesi i grupit kriminal, Redinel Dervishaj ishte një person i rrezikshëm dhe kishte lidhje me krimin e organizuar shqiptar.
Sipas avokatëve të Besnik Llakaturës, 38-vjeçari bëri gabim të madh duke u bashkuar me organizatën e Redinel Dervishaj, vëllai i të cilit Plaurent Dervishaj është një person në arratisje dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli dhe autoritetet amerikane.
Ndërkohë, marsin e vitit të kaluar një gjykatë federale amerikane dënoi me 57 vite burg Redinel Dervishajn dhe me 18 vite burg një anëtar të bandës të tij, Denis Nikolla. /Tvklan
KOHA JONË SONDAZH

