FOTO/ 39 amerikanë betohen si vullnetarë të Korpusit të Paqes në Shqipëri

39 amerikanë kanë bërë betimin për t’u angazhuar si vullnetarë të Korpusit të Paqes në Shqipëri për dy vite shërbim. Sipas njoftimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e pranishme në këtë ceremoni ishte edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn, ndërsa këta individë plot përkushtim do të sjellin më të mirat e vlerave amerikane në Shqipëri.

”Duke u mbështetur në 30 vite ndikimi, ata do të bashkëpunojnë me komunitetet lokale për të forcuar lidhjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim, ndërsa në ceremoni u bashkua edhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesja e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Megan Wilson.

VanHorn gjatë fjalës së saj përshëndetëse falënderoi ministren Manastirliu dhe ekipin për mbështetjen ndaj vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe për punën që ata bëjnë nëpër klasa, shkolla dhe komunitete anembanë Shqipërisë.

”Ju i keni hapur bujarisht jo vetëm shtëpitë, por edhe zemrat tuaja për t’i përgatitur këta vullnetarë për punën që i pret. Mbështetja e të gjithë partnerëve tanë shqiptarë është thelbësore për suksesin e Korpusit të Paqes në Shqipëri. Dhe më duhet të pranoj, jam pak ziliqare ndaj të gjithë vullnetarëve”,-tha VanHorn.

Të rinjve vullnetarë të Korpusit të Paqes, u tha se teksa do të hynë në një klasë shqiptare apo do të punojnë me një organizatë lokale, ata do të thellojnë dhe forcojnë më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

”Ju do të ndihmoni në forcimin e stabilitetit ekonomik përmes punës suaj në çuarjen përpara të sipërmarrjes dhe fuqizimin e komuniteteve për të zbatuar projekte të zhvilluara në mënyrë lokale. Kjo do të krijojë mundësi të reja për të dy vendet tona dhe do të ulë cenueshmëritë”.

SHKARKO APP