FOTO/ Brenda bazës ajrore të Kuçovës, gjeneral Dimo: Gati për stërvitjen e trupave të NATO-s

Pak ditë para ditës së përurimit, punimet në bazën ajrore të Kuçovës janë drejt përfundimit, për ta kthyer atë në një bazë taktike të NATO-s. Nga kjo bazë, ku për herë të parë publikohen pamje të përgatitjeve dhe punimeve, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegon hapat që u ndoqën deri më tani.

Sipas gjeneral brigade Ferdinand Dimo, ka qenë vendimmarrja e shtetit shqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës, ndërsa më 4 mars të këtij viti ajo është plotësisht efektive.

“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, sqaron Komandanti i Forcës Ajrore.

Gjeneral brigade Ferdinand Dimo sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”, tha Dimo.

Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit.

SHKARKO APP