FOTO/“Butrinti” në Kushtetuese, Zhupa tregon letrën e dorëzuar nga qeveria: Janë zhdukur e-mailet me UNESCO-n
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka publikuar një letër me shkrim dore që sipas saj është dorëzuar nga qeveria në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me procesin e gjykimit për çështjen e Butrintit. Zhupa tha se e-mailet me UNESCO-n janë zhdukur dhe sipas saj, kjo tregon mos seriozitetin e shtetit.
“Si deputete e Partisë Demokratike, unë kam kërkuar të marr të gjitha komunikimet me UNESCO të qeverisë shqiptare. Butrinti është pasuri botërore UNESCO dhe njoftimi dhe rekomandimet e tyre janë detyra shtetërore.
Për të treguar mungesën e seriozitetit të Këshillit të Ministrave, dhe gjendjen katastrofale me të cilën punojnë sot, do kërkoj vëmendjen e publikut për një nga “dokumentet” e sjella nga Këshilli i Ministrave. Është pikërisht kjo, një copë letër me shkrim dore, pa firmë, pa vulë, pa protokoll, pa datë, siç mund ta shikoni. Kjo copë letër i sillet Gjykatës Kushtetuese, nivelit gjyqësor më të lartë në Republikën e Shqipërisë dhe shkruan: “Kërkesa mbi komente për draft ligjin është bërë me email.
Ky email nuk gjendet për shkak të mbylljes së llogarive të punonjësve pas largimeve nga puna”. Kjo copë letër, që si duket është sjellë nga pakujdesia prej Këshillit të Ministrave ose nga çmenduria e një administratë që nuk kupton rëndësinë e procesit kushtetues, nuk kupton rëndësinë e Unesco-s, rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dhe rëndësinë e palëve si Presidenti, Deputetët, KLSH, Avokat i Popullit. Kjo copë letër “zyrtare” tregon mungesën e seriozitetit të sistemit qeverisës së shtetit, trajtimin aspak profesional të komunikimeve shtetërore zyrtare me organizmat ndërkombëtarë, por dhe humbjen e dokumenteve zyrtare, mospasjen e informacioneve të sakta nga UNESCO”.