FOTO/ Covid i merr jetën ish-deputetit të PD-së dhe bankierit të njohur
Covid-19 i ka marrë jetën një tjetër politikani të njohur shqiptar.
Ish-deputeti i PD dhe bankieri i njohur, Bedri Çollaku, i cili ishte i shtruar prej disa javësh në spital ka humbur dje jetën nga koronavirusi.
Çollaku lindi në Tiranë, në vitin 1950. Ai e nisi karrierën e tij në vitin 1973 pranë Bankës së Shtetit Shqiptar.
Ishte diplomuar në Shkenca Ekonomike nga Universiteti i Tiranës si dhe ka përfunduar programin e Akademisë Harvard të Pireus Bank.
Në vitin 1996 u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Demokratike në Qarkun Tiranës.
Lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të politikanit dhe bankierit të njohur shqiptar e ka dhënë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
‘Me hidhërim të thellë u njoftova për largimin e parakohshëm nga jeta të Bedri Çollaku.
Me një karrierë të spikatur e mbi 40-vjeçare në fushat e bankingut qendror e tregtar, Çollaku do të kujtohet si një ndër ekspertët që ka kontribuar në hedhjen e themeleve të mbikëqyrjes bankare shqiptare, sektor të cilin e drejtoi gjatë viteve të para të krijimit të tij, në fillim të viteve ‘90. Z. Çollaku ishte drejtues i një ndër bankave tregtare të vendit.
I nderuar me çmime të shumta për punën e tij si ekspert i sistemit bankar, interesat dhe përvoja e spikatur e z. Çollaku u pasqyruan edhe në rolin menaxherial që kreu me energji e ndershmëri deri në fund të jetës.
I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes e miqve. Kjo është një ditë e trishtë për sistemin bankar të vendit’, shkruan Sejko.