FOTO/ ”Edhe i gjakosur foli në tubim”, Sali Berisha ”pushton” mediat në Europë
Kryetari i PD-së, Sali Berisha u godit teksa ishte duke iu bashkuar protestës së thirrur nga vetë ai në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”. Mediat e huaja po i bëjnë jehonë, duke e cilësuar si një ngjarje tronditëse.
”Kreu i partisë demokratike u sulmua gjatë një proteste antiqeveritare të mbajtur pranë një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor në kryeqytetin shqiptar. Berisha, 78 vjeçar, një ish-president dhe ish-kryeministër i vendit, po drejtonte qindra protestues të cilët ishin duke ecur drejt zonës së samitit i shoqëruar nga ish-presidenti Ilir Meta kur një burrë doli nga turma dhe e goditi me grusht në fytyrë”, thotë Star Tribune që ka shpërndarë një lajm të Associated Press.
Reuters thekson se sulmuesi u rrah keq nga mbështetësit e Berishës dhe u arrestua nga policia. Agjencia e njohur e lajmeve e vë theksin po ashtu tek fakti që lideri opozitar, pavarësisht se ishte gjakosur dhe tronditjes që mund të ketë pësuar nga sulmi, e mbajti siç pritej, fjalën në tubim.