FOTO/ EU4Schools, 57 objekte arsimore të përfunduara deri tani
Përmes një publikimi në rrjetet e tij sociale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri-UNDP Albania nënvizon se 57 objekte arsimore kanë përfunduar deri në tani në kontekstin e Programit “EU4Schools”-“BE për Shkollat”.
Objektet arsimore janë ndërtuar sipas parimeve bazë të “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku” duke mishëruar standardet më të larta bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor. UNDP Albania njofton njëkohësisht se 5 objekte të tjera janë momentalisht në proces rindërtimi dhe/ose riparimi.
Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP Albania në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare. Ky program nuk synon vetëm të rindërtojë dhe/apo të riparojë 60+ strukturat arsimore të dëmtuara nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019-të, por edhe të ngjallë shpresë te komunitetet e prekura me përfitues të drejtpërdrejtë 25,000 nxënës, fëmijë dhe mësues.
Për të ndjekur në kohë reale informacione të përditësuara, statistika, raporte apo fakte, si dhe ecurinë e deritanishme të “EU4Schools”, portali www.eu4schoolsportal.al është një dritare mjaft e mirë transparenceje dhe llogaridhënieje për publikun dhe gjithë palët e interesuara.