FOTO/ Konferenca e vajit të ullirit, ministrja Denaj: Nxitje prodhimit me standarde
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë sot në konferencën “Ulliri dhe cilësia e vajit të ullirit në Shqipëri”, organizuar në kuadër të Panairit Ndërkombëtar “Agrotech Expo 2023” në Tiranë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, në panelin shkencor, ku merrnin pjesë profesorë dhe ekspertë të fushës, ministrja Denaj solli të dhëna të eksportit të vajit të ullirit, që inkurajojnë për vijimin me politika mbështetëse.
“Eksporti i vajit të ullirit shkoi nga 159 tonë në vitin 2021, në 330 tonë në vitin 2022, teksa ritmet e deritanishme na tregojnë se vijon trendi rritës edhe këtë vit”, deklaroi ministrja. Denaj vlerësoi mbështetjen e ministrit italian Francesco Lollobrigida, në rezultatin pozitiv të eksportit të vajit të ullirit drejt Italisë.
“Rrugëtim e nisa me një angazhim me ministrin italian, Francesco Lollobrigida. Falë angazhimit të tij, në 8 muajt e parë të këtij viti, eksporti i vajit të ullirit drejt Italisë shkoi nga 60 litra në 5220 tonë. Ministri Lollobrigida më siguroi se tregu italian është i gatshëm të pranojë më tepër sasi të vajit të ullirit shqiptar”, theksoi ministrja.
Ministrja foli dhe për nevojën e përmbushjes së standardeve që kërkon sot tregu për tregtimin e vajit të ullirit. Duke u ndalur në automatizimin e sektorit, si një nga sfidat e bujqësisë sot, ministrja ftoi fermerët që në çdo zonë, ku është mundësia të kultivojnë më shumë këtë produkt.
Ajo inkurajoi bujqit të rrisin kultivimin e ullirit dhe të mendojnë se si ta rrisin vlerën e tij në treg. “Me këtë objektiv, të punojmë së bashku që të mundësojmë bashkimin, investimet dhe të hyjmë në tregje të tjera”, tha ministrja.