FOTO/ Shuhet Gerti Bogdani, reagon familja: Pse na e bëre…
Të tronditur nga lajmi i kobshëm dhe nga një dhimbje që do të mbesë përjetë, Arbër Çepani ka bërë një reagim shumë të shkurtër, por prekës pas ndarjes nga jeta të kunatit të tij, ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani, këtë të mërkurë pas një arresti kardiak në mënyrë të beftë. ”Pse na e bëre o Gert… Pse na e bëre”, ka shkruar Arbër Çepani në një postim në InstaStory. Gerti Bogdani ishte i martuar me motrën e Arbër Çepanit, aktivisten Edlira Çepani.
Gerti Bogdani u nda nga jeta këtë të mërkurë në moshën 44-vjeçare. Bogdani pësoi infarkt dhe u transportua me urgjencë për në Qendrën Spitalore Nënë Tereza Spital, por nuk ia doli.
Policia e Tiranës tha se Bogdani u gjet pa ndjenja, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, lajmin e hidhur e konfirmoi edhe deputeti i PD, Gazment Bardhi. Më pas, mbledhja u shty për një ditë tjetër.
Politika shqiptare sot është në zi. Gert Bogdani iku nga kjo jetë në moshën 44-vjeçare nga një arrest kardiak. Të shumtë janë deputetët, përfshirë kryeministrin, kryeparlamentarja, kreu i PD-së etj, të cilët shprehin ngushëllime për ndarjen nga jeta të politikanit.
Kush ishte Gerti Bogdani?
I lindur në Tiranë më 1980 dhe i diplomuar në Universitetin Politeknik të Nju-Jorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bogdani nis angazhimin në politikë në vitin 2005.
Në vitin 2007, nis detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, detyrë që mbajti deri në vitin 2019. Po në vitin 2007 kandidoi në Zgjedhjet Vendore, duke u zgjedhur kryetar i Minibashkisë numër 10 në kryeqytet.
Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2013 fiton një mandat të dytë si deputet i PD. Gjatë dy mandateve parlamentare shërben në komisionin e Integrimit Europian dhe në komisionin e Medias. Bogdani ishte martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe kishte dy fëmijë.