FOTO/ Veliaj viziton rezidencat e reja studentore në Kodër Kamëz
Godinat e reja të konvikteve janë një kartolinë mirë se ardhjeje për studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kodër Kamzë. Ato janë transformuar në ambjente me kushte shumë herë më të mira, ku përfshihen dhoma komode, biblioteka, terrene rekreative etj. Në nisje të vitit të ri akademik, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi rezidencat e reja studentore, të cilat sot ofrojnë të gjitha shërbimet për studentët.
“Kjo që ka ndodhur në Kodër-Kamzë është një mrekulli! Është një realitet krej ndryshe me çfarë trashëguam – degradimin dhe zaptimin e konvikteve. Sot, kur hyn në Universitetin Bujqësor, dëgjon zërat e fëmijëve që mësojnë në dy shkolla të reja, “Kennedy” dhe “Nënë Tereza”, kurse në konvikte ka oborre të brendshme dhe të jashtme, hapësira pedonale, stola, bibliotekë, dush në çdo dhomë. Mbaj mend kohët e vjetra kur kishte vetëm një dush në korridor, por edhe me orar. Në dhoma rrinin 8 apo 12 persona, me krevate marinari, kurse sot po flasim për dhoma dyshe. Duke pasur në secilën godinë edhe dhomën e kompjuterëve, edhe bibliotekën, ulet nevoja për të harxhuar kohë duke kërkuar një internet-kafe, apo duke një hapësirë të qetë për të lexuar. Të gjitha këto janë brenda konviktit”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se godinat e reja nuk janë dhurata e vetme për studentët, pasi Bashkia e Tiranës do të subvencionojë me 50% tarifën e konviktit dhe do të japë falas abonenë e autobusit.
“Një nga detyrat tona, sidomos në këtë situatë të vështirë, ku inflacioni i luftës i ka rritur kudo çmimet – jo vetëm në vendin tonë, por edhe në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe në botë, prej një xhelati psikopat, që ka filluar një luftë, e cila i ka çuar tregjet jashtë çdo logjike – na duhet ne, si bashki, të sjellim një logjikë, të paktën të ulim kostot e studentëve. Këtë javë do të kalojmë në Këshill Bashkiak përgjysmimin e kostos së konviktit; pra, 50% të faturës reale ta paguajë bashkia, ta mbajmë ne këtë barrë, jo studentët, që s’kanë asnjë faj, as për luftën, as për faktin që s’kanë shtëpi në Tiranë. Këtu ata vijnë si studentë dhe duke qenë se 9 nga 10 prej tyre do të bëhen qytetarët tanë të ardhshëm, është minimumi t’u japim një dorë që tani, e nesër, kur të dalin në punë, t’i japin ata një dorë qytetit”, tha Veliaj.