Franca hapur dyert për shqiptarët, por me një kusht të vetëm
Në një kohë që Shqipëria ka hapur dyert për turistët nga e gjithë bota, edhe Franca ka vendosur të pranojë pa asnjë kufizim shqiptarët që kanë kryer vaksinën kundër Covid-19. Vendimin më të fundit të autoriteteve franceze e bëri të ditur aeroporti “Nënë Tereza”. Shqiptarët e vaksinuar me Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson mund të futen lirshëm në Francë, me kushtin që të kenë edhe një test PCR.
”Franca lejon hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike, vetëm nëse janë vaksinuar dhe udhëtarët paraqesin gjithashtu edhe testin PCR të 72 orëve të fundit ose Antigen të 48 orëve të fundit. Vaksinat e pranuara nga Franca janë ato të njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA): Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Prova e vaksinimit është e vlefshme nëse lejon të vërtetohet përfundimi i një kohe të plotë të vaksinimit”.
Qytetarët që akoma nuk kanë kryer vaksinën, do të vijojnë të lëvizin me masat që janë në fuqi. Për ta ndalohet udhëtimi, nëse nuk kanë arsye të rëndësishme.
“Franca e konsideron Shqipërinë në listën e vendeve me ngjyrë portokalli, domethënë me rrezik të ulët infektimi. Për ata që nuk janë vaksinuar, masat kufizuese vazhdojnë të mbeten në fuqi. Qytetarët e pavaksinuar, duhet të udhëtojnë vetëm për arësye esenciale (për të shkuar të bashkëshorti/bashkëshortja, apo prindërit të udhëtojnë tek fëmijët me leje qëndrimi në Francë studentët për motive studimi). Edhe kjo kategori udhëton me testin PCR të 72 orëve të fundit ose Antigen të 48 orëve të fundit”.