Franca masa të ashpra, shqiptarët kryesojnë si azilkërkuesit
Emigrimi drejt Francës do të bëhet më i vështirë. Qeveria ka propozuar një draft të ri që përshpejton procedurat e dëbimit për emigrantët e jashtëligjshëm dhe ashpërson masat e tjera të marra ndaj tyre.
Projektligji i ri parashikon përshpejtim të procedurës së dëbimit për ata të cilët nuk përmbushin kushtet për të përfituar azil si dhe dyfishon periudhën e burgimit të emigrantëve të jashtëligjshëm në 90 ditë.
Edhe pse drafti nuk është bërë ende publik, mediat franceze shkruajnë se veçanërisht Neni 16 do të jetë i ashpër. Sipas kësaj pike, emigrantët ilegalë të cilët përdorin dokumenta të rreme identifikimi mund të gjobiten deri në 75,000 euro dhe të burgosen deri në 5 vite.
Masat e reja pritet gjithashtu ta bëjnë më të vështirë kalimin e jashtëligjshëm të kufinjve, me dënime që mund të shkojnë deri në 1 vit burgim apo gjoba që do të arrijnë deri në 3,750 euro.
Franca pa një rritje rekord të numrit të azilkërkuesve gjatë 2017. Shifrat zyrtare tregojnë se mëse 100,000 persona kanë aplikuar për azil në vend, 17% më shumë krahasuar me vitin 2016. Numri më i madh i këtyre kërkesave i përket personave që vijnë nga Shqipëria, Afganistani, Haiti dhe Sudani.
KOHA JONË SONDAZH

