Francë/Vdekjet e mistershme të të rinjëve shqiptarë në burgje

Një tjetër shkodran humbi jetën në një burg të Francës, duke e çuar në pesë numrin e shqiptarëve që nxirren pa jetë nga institucionet e vuajtjes së dënimit por edhe nga kampet e azilantëve.

Mentor Rexha, sipas autoriteteve franceze është vetëvrarë në qeli, mesnatën e 1 shkurtit. Familja e 36-vjeçarit që banon në lagjen “Daniel Matlia” në Shkodër, ka hapur dyert e mortit dhe mes vajit dhe dhimbjes së madhe, hedhin akuza se Mentori është vrarë. Sipas tyre, djali është dhunuar dhe nuk ka kryer vetëvrasje, siç u kanë deklaruar autoritetet e burgut. Ata madje kanë vënë në dispozicion edhe foto ku paraqiten shenjat e dhunës në trupin e pajetë të të riut.

Nëna e Mentorit, thotë se djali kishte një vit që ishte në Francë dhe 6 muaj kishte në burg se akuzohej për djegien e disa makinave. Rukine Rexha kërkon nga shteti shqiptar që kjo çështje të hetohet sepse sipas saj, në trup djali ka shenja dhune. “I bëj thirrje shtetit shqiptar që ta zbardhë këtë ngjarje, djali nuk ka kryer vetëvrasje por është dhunuar në burg. Lajmin e kemi marrë nga shokët e tij, që na kanë treguar sepse askush tjetër nuk na ka lajmëruar për vdekjen e djalit. Djali kishte një vit që ishte në Francë dhe 6 muaj kishte në burg se akuzohej për djegien e disa makinave. Ka qenë duke folur me vëllain në telefon kur e kanë arrestuar. Gjatë kohës që kemi folur në telefon nuk na ka shprehur shqetësime dhe ne jemi të bindur se nuk ka kryer vetëvrasje. Kërkojmë që të hetohet sepse në trup ka shenja dhune. I bëj thirrje shtetit të më kthejne trupin e djalit dhe të zbardhet ngjarja. Fëmijët i kam rritur me halle”.

Djali i xhaxhait, Selaudin Rexha thekson se ambasada shqiptare në Francë nuk është përgjigjur. “Na është shprehur në mënyrë absurde kur i kemi kërkuar ndihmë dhe të gjitha veprimet janë duke i kryer vëllai i viktimës me të motrën e tij. Akuzat ndaj kushëririt tim janë të pavërteta. Ky është rasti i 5-të i shqiptarëve që vriten në burg dhe dy janë nga Shkodra, ndërkohë që shteti hesht”.

Florenc Beqiraj dhe Klidian Jonuzi, janë dy të rinj shqiptarë që humbën jetën në burgjet e Francës. Mister mbeten ende motivet dhe rrethanat, por fakt është se askush nuk u ndëshkua për vdekjen e tyre. Florenci dhe Klidiani vinin nga familje të varfëra dhe kërkonin një jetë më të mirë në Francë por aty humbën jetën tragjikisht.

SHKARKO APP