Frani dhe Dila: Një triumf dashurie në kushte të mjerueshme, mes tërmetit, virusit dhe paralizës
Në rrugicat e Thumanës, koronaviruesi, ngjan si një mallkim i dytë. Jetesa është vështirësuar për të gjithë, por jo sa për Fran Lleshajn. Si çdo ditë, ai është duke u kujdesur për Dilën e tij. Dila tregon se prej vitesh tashmë është e paralizuar dhe “nuk luan vendit”.
“Vetë zi, vetë laj, vetë shpërlaj qe rrobat i kam la vetë. Lavatriçen ma prishi tërmeti..Me hor bukë hamë por pak si me sforco,” thotë i shoqi.
Franit i është ndërprerë pensioni që merrte si minator. Ai është në proces gjyqësor, por teksa dikush t’i japë drejtësi, i duhen para. Ai thotë se pazaret i bën një herë në javë e pastaj nuk del më. I duhen shumë gjëra, pelena e letra të lagura, por për t’i marrë duhet të shkojë në Fushë Krujë dhe duke qenë së nuk ka makinë nuk ka si të lëvizë.
Si ia ke bërë?
“Deri më tash kam pas gjendje. Edhe këtë javë e shty por javën tjetër nuk kam si e shty ma.”
Është e thjeshtë t’u thuash pensionistëve mos dilni në rrugë, por për Franin kjo është një kërkesë e tepërt.
Sa i përket lejes që duhet të marrë online për të dalë, Frani thotë:
“Jo nuk i jap dum unë. Shiko çfarë telefoni kam. Pse me ketë telefon qenkam tu marr online unë? Ku di me e përdor unë? Unë jam rrit me sistemin e parë, s’jam rrit me telfona të rinj. Unë vetëm po me m’hap rrugën aty e me marrë ato lekët në bankë, të grus e të miat. E me la dritat e ujt e me dal me marr furnizimin…”
Ardhja e virusit i frikëson, më shumë se sa për veten, për fëmijët e shpërndarë të cilët nuk kanë mundësi t’ju japin një dorë.
“Shumë të friksum jemi moj ti motër. Të friksum. Sa për vete sa për kalamajt mos nim fjalë të keqe aty ku i kemi, edhe për vete shumë”, shprehet Dila.
Dy tërmetet i kanë lënë pa shtëpi dhe ata tregojnë sesi kanë jetuar duke shtuar se nuk “kanë më takat që të bëjnë shtëpi” dhe vetëm presin që të veprojë shteti pasi dokumentat i kanë të gjitha. Por Frani nuk harron të qeshë. Kujdeset për pulat e tij, nga të cilat merr veze e mish, ndërsa fqinjëve nuk jua kursen ftesën për të ndarë një kafe.
/abcnews.al/