Frika nëse virusi depërton në vend, rrugët që lidhin Shqipërinë me Italinë

Rritja e numërit të viktimave në Itali nga virusi kinez dhe izolimi i disa rajoneve në Itali, ka bërë që Shqipëria të ndjek me frikë atë që po ndodh në Itali. Coronavirusi Covid-19 është tema e çdo bisede në Shqipëri, qoftë në media apo tek publiku i thjeshtë.

Në treg raportohet për mungesën e maskave mbrojtëse dhe dizinfektantëve. Shqipëria konsiderohet me risk të ulët për prekjen nga virusi.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se të paktën 8 persona janë dyshuar në Shqipëri si të infektuar me virusin korona por pas testimeve të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik dolën negativë. Institucionet shqiptare kanë ftuar qytetarët të mos përhapin panik, pasi situata sipas tyre, është nën kontroll të plotë.

Linjat që lidhin Shqipërinë me Italinë

Nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë, raportohet se vetëm ditën e djeshme janë ulur rreth 15 avionë që fluturonin nga Italia. Pasagjerë të shumtë mbërrijnë në Shqipëri çdo ditë nga destinacione si Milano, Firence, Venecia, Verona, Roma, Bolonja, Bergamo, Rimini, Bari, dhe Xhenova qytete të cilat kanë lidhje direkte me Tiranën me linja fluturimi. Shqetësimi qëndron në faktin se në shumë prej destinacioneve të sipërpërmendura numërohen persona të infektuar nga coronavirus. Shqetësimi mbetet i njëjtë edhe në lidhje me linjat detare, ku numërohen dy tragete nga Bari dhe një nga Ankona, të cilët zbarkojnë drejt Portit të Durrësit, dhe një tjetër linjë nga Brindisi drejt Vlorës.

SHKARKO APP