Frika nga koronavirusi, dezinfektohen institucionet publike në Vlorë, Fier e Elbasan
Konfirmimi i 6 rasteve me koronavirus në vendin tonë ka shtuar edhe masat për parandalimin e virusit. Në institucionet publike në Vlorë e Fier ka nisur dezinfektimi.
Kështu në Vlorë, pas dezinfektimit të spitalit rajonal, këtë mëngjes ka nisur dezinfektimi i policisë së qarkut, ndërkohë nga bashkia e Vlorës konfirmohet se ka përfunduar ky proces në 80% të shkollave të qytetit. Janë 4-5 shkolla që kanë përfunduar dezinfektimin.
Nga spitali rajonal i Vlorës mësohet se veç dhomës së karantinës në çdo pavion është ngritur tashmë një dhomë shtesë për të mbajtur pacientët të cilët dyshohen ose shfaqin simptomat e koronavirusit përpara se këta të fundit të nisen përn ë Tiranë.
Në total janë tre dhoma të veçanta për karantimin e personave të dyshuar me koronavirus, përveç karantinë së posaçme.
Drejtuesit shprehen se personeli është i pajisur me bazën mjekësore të nevojshme si dhe masat mbrojtëse. Spitali i Vlorë ka në gjendje 20 mijë maska kirurgjikale mbrojtëse për koronavirusin.
Në Fier sot ka nisur dezinfektimi i shkollave dhe kopshteve. Fillimisht dezinfektimi ka nisur në 4 shkolla dhe 7 kopshte të qytetit të Fierit dhe më pas do të shtrihet në njësite asministrative.
Janë tre grupe të dizinefektuesve që po zbatojnë programin e dezinfektimit.
Në orën 8 të mbrëmjes do të nisë edhe dezifektimi i mjediseve publike si godina , lulishte, e parqe.
Burime nga spitali rajonal i Fierit bëjnë me dije se gjatë natës nuk është paraqitur asnjë person me shenja të Covid 19.
Është kufizuar edhe hyrja e dalja e familjarëve të pacientëve që janë të shtruar në spital. Nuk ka mungesa te barnave dhe medikamenteve. Ka maska dhe oksigjen të mjaftueshëm. Rastet e dyshuara dërgohen në Tiranë.
Edhe Bashkia Elbasan ka nisur dezinfektimin e të gjithë shkollave, kopshteve dhe çerdheve.Po ashtu, për të evituar grumbullimet e njerëzve në ambiente të mbyllura është ndryshuar procedura e trajtimit të qendra ditore.
Me urdhër të Kryetarit të Bashkisë, personat që përfitojnë nga trajtimi ushqimor në këto qendra, do t’u dërgohet ushqimi në banesa.
Në kuadër të masave parandaluese gjithashtu gjatë natës do të vijojë puna me dezinfektimin e institucioneve, transportit publik, shërbimit taksi dhe tregjeve.