Frika nga koronavirusi dhe koncesioni i laboratorëve, KLSH: Rritje kostosh, rrezikohet mosofrimi i shërbimeve
Shqipëria është mbërthyer nga ethet e koronavirusit, i cili në vetëm pak ditë pothuajse ka gjunjëzuar vendin fqinj, Italinë.
Ndërkohë, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për koncesionin e ofrimit të shërbimeve laboratorike spitalore ka gjetur problematika të shumta në kontratën që parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto totale prej rreth 106 milionë euro, sipas projektbuxhetit 2020, por që po rezultojnë në rritje që në vitin e parë të aktivitetit.
KLSH konstaton se vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe, duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente.
Sipas KLSH-së, koncesioni paraqet pagesa të shtuara në drejtim të Buxhetit të Shtetit si pasojë e projektimeve të gabuara të numrit të analizave, mungesës së të dhënave të ponderuara me bazë çmimin dhe kthim nga investimi më i lartë se ai i deklaruar për koncesionarin si pasojë e gabimeve në vlerat e paraqitura në flukset e parasë në krahasim me supozimet përkatëse. Sipas raportit ka gabime materiale në strukturën e financimit për vlerën e të ardhurave, shpenzimeve operative dhe investimeve dhe kryerja e analizave të paargumentuara në lidhje me sasinë dhe koston e shërbimit të ofruar.
Kontrolli i lartë i Shtetit ka gjetur se që në vitin e parë të zbatimit të tij, qeveria është detyruar të paguajë më shumë sesa parashikimi për shkak të projektimit të gabuar të numrit të analizave.
Sipas KLSH, “Projekti koncesionar/PPP vetëm në vitin e parë të implementimit të tij sipas studimit të fizibilitetit ka përcaktuar rritjen në financim të kërkuar me rreth 3.3 milion euro nga situata ekzistuese. Sipas argumentimit të bërë në studimin e fizibilitetit, financimi aktual vlerësohet në rreth 5.4 milion euro dhe shpenzim i kërkuar për implementimin e PPP në vitin e parë vlerësohet në 8.7 milion euro, nëse ky projekt do të realizohet duke argumentuar shtesën në financim prej 3.3 milion euro si në vijim:
-1.595 milion euro si pasojë e rritjes së aksesit të popullatës në shërbimet laboratorike dhe shtimit të gamës së analizave të ofruara, nëpërmjet rritjes së përpjestimit të analizave më të shtrenjta
-0.69 milion euro si pasojë e krijimit të kontrolleve të brendshme të cilësisë, akreditimeve ISO, trajnimeve dhe mirëmbajtjes parandaluese
-0.235 milion euro si pasojë e shpenzimeve të transportit për mostrat në vend të udhëtimit të pacientëve drejt Tiranës.
-0.95 milion euro si pasojë e përmirësimit të paisjeve dhe infrastrukturës dhe futjes së sistemeve IT”, sipas raportit.
“Shpenzimi aktual për laboratorët spitalorë nuk evidentohet veçmas në programet buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë. Pagesat e kërkuara për implementimin e projektit përfshijnë flukse dalëse nga shpenzimet operative.
Nga auditimi konstatohet se rritja e kërkuar për pagesat e projektuara fikse në nivel tavani, nuk rezulton të jetë e parashikuar në programin buxhetor afatmesëm si një zë më vete, sikurse është referuar edhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në shkresën përkatëse të mësipërme. Pavarësisht evidentimit të këtij fakti në lidhje me përballueshmërinë e këtij projekti për Buxhetin e Shtetit është shprehur dakortësia në parim, pa refuzuar me vendim vijueshmmërinë e projektit në stadet e mëpasshme”, thuhet në raport.
Për këtë arsye, KLSH rekomandon se nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të analizohen të gjithë elementet ekonomike dhe financiare të projektit dhe të refuzohen projektet të cilat paraqesin mangësi në drejtim të treguesve financiarë të projektit, mangësi, gabime dhe mospërputhje materiale ndërmjet zërave financiarë dhe analiza të gabuara. Ministria e Financave, në bashkëpunim me autoritetin kontraktor, të analizojë efektet e problematikave të identifikuara më sipër në studimin e fizibilietit të cilat janë mbartur në kontratë me qëllim ezaurimin e të gjitha hapave ligjorë për eliminimin e efekteve negative financiare për Buxhetin e Shtetit.
Rrezikohet mosofrimi i shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente
Sipas KLSH-së, “Projekti koncesionar/PPP sipas studimit të fizibilitetit ka parashikuar ofrimin e shërbimit laboratorik brenda tavaneve të projektuar me tarifat përkatëse të përllogaritura për 164 analiza sipas shtojcës 7 të studimit të fizibilitetit.
Lista aktuale e analizave të ofruara përfshin 105 analiza të ofruara nga laboratorët publikë dhe në studimin e fizibilietit në faqen 46 është shprehur “Lista e tanishme me 105 tarifa është e vitit 2009 dhe është e zbatueshme vetëm për pacientët e pasiguruar të cilat nuk mbulohen nga FSDKSH. Meqenëse lista referencë e analizave do të zgjerohej, do të duhet të përcaktohen çmime të reja. Lista e re universale e çmimeve do të vendoset duke vendosur çmime referencë nga vendet e krahasueshme të rajonit të cilat të gjitha kanë nxjerrë lista publike të çmimeve për shërbimet e tyre laboratorike.” (pa cituar se nga cilat vende të rajonit do përcaktohet).
Lista e re është përcjellë me ndryshimin e studimit të fizibilitetit duke përcaktuar 160 lloje të analizave të ofruara dhe jo 164 sikurse është evidentuar në shtojcën 6 të studimit të fizibilitetit të përditësuar në Gusht 2016. Mekanizmi i funksionimit të PPP përfshin vendosjen e një tavani mujor buxhetor dhe faturimin e analizave nga operatori privat drejt autoritetit kontraktor sipas çmimeve të ofruara për secilën analizë të kryer për kategoritë e përfshira për të marrë shërbimin.
Vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente. Në këtë mënyrë, zgjidhja e ofruar për realizmin e këtij PPP nuk rezulton të jetë efektive në drejtim të ofrimit të shërbimit”.
“Projektimet e vëllimeve të analizave konstatohen se janë kryer në bazë të të dhënave historike të vitit 2014. Numri i analizave të raportuara nga FSDKSH nga njëra anë dhe 18 spitalet e marra në studim nga ana tjetër janë konfliktuale duke paraqitur për të njejtën periudhë kohore të dhëna të ndryshme. Gama e analizave të ofruara është planifikuar të rritet nga 105 në 164 analiza të ofruara, megjithatë lista e re ka përfshirë vetëm 160 analiza sipas shkresës nr. 13071/2 prot. MFE datë 16/12/2016.
Rritja në nivel total të analizave të ofruara është parashikuar me 20% sipas supozimit të bërë në studimin e fizibilitetit. Nga auditimi konstatohet se nuk ka një analizë të detajuar në lidhje me efektin e pritshëm në kosto për mbështetjen e supozimeve, si pasojë e rritjes së gamës së analizave të ofruara. Gjithashtu vendosja e tavaneve buxhetore, sipas parashikimit të bërë në studimin e fizibilitetit për çdo vit në mënyrë që të mos cënohet Buxheti i Shtetit si pasojë e rritjes së numrit të analizave, vendos kufizime në nivelin e shërbimit të ofruar.
Në kushtet e përcaktimit të tavaneve kufi për tu shpenzuar, vendosjen e tarifave të reja fikse për analiza të ofruara dhe mungesën e të dhënave analitike për llojet e analizave të ofruara dhe të projektuara për tu ofruar, ofrimi i shërbimit mund të kufizohet si pasojë e tejkalimit të kufijve buxhetorë. Në këtë mënyrë edhe argumentimi i bërë në studimin e fizibilitetit për këtë fakt mbi reduktimin e pagesave nga xhepi vlerësohet të jetë jo i mbështetur”, thekson KLSH./Monitor