Frika nga tërmetet lë banorët e Korçës jashtë
Banorët e fshatrave në Korçë kanë kaluar natën jashtë për shkak të frikës nga tërmetet. Pas lëkundjeve pasditen e të mërkurës, ata thonë se gjenden në panik për atë se çfarë mund t’ju ndodhë. Ndërsa zëvendësministri i Brendshëm, Petro Koçi, inspektoi punimet për rindërtimin e banesave dhe tha se banorët e dëmtuar nga tërmeti do të marrin shtëpitë e tyre të rikontruktuara apo të rindërtuara në bazë të vlerësimit të bërë.
Në Korçë, banorët përjetuan sërish ankthin e tërmetit. Pas lëkundjeve të forta të regjistruara pasditen e të mërkurës prej 4.7 ballë, në fshatrat Floq e Qafëzezë banorët janë gjendur sërish në vështirësi, duke u detyruar ta kalojnë natën jashtë nga frika e ndonjë tërmeti tjetër.
“Gjatë natës ishim në ankth dhe të panikosur nga tërmeti.”
“Natën e kemi kaluar jashtë, jam 82-vjeç burrë dhe po flemë jashtë.”
“Ishte një tmerr për ne ky tërmet se na kujtoi atë të mëparshin, dhe natën e kaluam pa gjumë, duke dalë jashtë herë pas here.”
Të tjerë prej dy muajsh janë strehuar në kasollet që më parë thonë se i kanë përdorur për të mbajtur ushqimin e bagëtive.
“Unë jam edhe e sëmurë, me reumatizëm. Po zuri nesër të ftohtit, unë edhe për veten time nuk jam. Ato shtëpi i kam bërë me gjak, kam mbledhur lule sa u bëra sakat. Tani u prishën. Më mirë të na kishte zënë ai tërmeti dje, kishim shpëtuar dhe ne dhe shteti. Edhe kështu nuk i dilet, kemi dy muaj rrugëve.”
Ndërsa zëvendësministri i Brendshëm, Petro Koçi, tha se banorët e dëmtuar nga tërmeti do të marrin shtëpitë e tyre të rikontruktuara apo të rindërtuara në bazë të vlerësimit të bërë.
Petro Koçi: Këto që do të rindërtohen nga e para janë tre projekte të cilat janë hartuar nga Instituti i Ndërtimeve dhe ne presim nga bashkitë përkatëse që këto projekte tu ofrohen falas banorëve dhe kompanive që kanë marrë përsipër procesin e rindërtimit.
Në qarkun e Korçës janë rreth 80 banesa për tu rikonstruktuar, ndërkohë 40 banesa do të rindërtohen nga e para.