Frikë nga hajdutët e rakisë, banorët e fshatit Sukth Katund gjithë natën pa gjumë
Jo vetëm hajdutët profesionistë kanë mësyrë prokurorinë e Durrësit por edhe ata në fshatra u janë sulur shtëpive të fshatarëve. Rasti më i fundit vjen nga fshati Sukth Katund. Këtu banorët e fshatit po qëndrojnë pa gjumë në ruajtje të shtëpive të tyre e të mallit e gjësë së gjallë. Familja Priska ka rënë pre e hajdutëve një natë më parë.
Hajdutët morën çfarë ishte e çmuar në këtë shtëpi fshati, 120 kg raki dhe 50 litra verë të cilat ishin ruajtur për t’u shitur nga të zotët e shtëpisë. Çifti Priska deklaroi se ashtu si familja e saj e gjithë lagjja ka rënë pre e hajduteve, të cilët vjedhin nga shtëpitë rakinë dhe verën çfarë është e çmuar për banorët e fshatit.
Kryefamijari Nikollë Priska tha se banoret e fshatit Sukth Katund kanë disa ditë që po kalojnë netët të terrorizuara nga vjedhësit e banesave. Vetëm në lagjen ku ata banojnë, janë vjedhur rreth 6 banesa me thyerje dhe janë grabitur sasira të konsiderueshme alkooli që fermerët e prodhojnë nga vreshtat e tyre. Vjedhjet seriale kanë ndodhur në netë të ndryshme në 5 banesa të tjera. Ku janë marre mbi 700 litra raki. Ata dyshojnë se vjedhësit kanë qenë me furgon pasi enët e vjedhura janë gjetur të zbrazura ne afërsi të banesave te vjedhura. Priska bën me dije se është bërë denoncimi në polici, por deri tani nuk janë gjetur e as identifikuar autorët që po terrorizojnë fshatin. Ndërkohë, në këtë fshat edhe vitin e kaluar ka pasur të tilla ngjarje, që ende rezultojnë pa autor. /BW
KOHA JONË SONDAZH

