Frroku: Pasurinë e kam vënë me djersë, paguaj 6 mln $ taksa

 

"Pasurinë e kam vënë me djersë, i kam paguar shtetit 6 milionë dollarë taksa". Kështu u shpreh deputeti i dorëhequr Mark Frroku, i pyetur nga Report TV për hetimin pasuror që Prokuroria ka nisur ndaj tij për fshehjen e 2 milionë dollarë dhe pastrimit të parave.
 
Frroku ishte i pranishëm këtë të hënë në Gjykatën e Lartë ku së bashku me deputetin e Shkodrës Tom Doshi dhe Durim Bamin nga Fushë-Kruja akuzohen për kallëzim të rremë dhe inskenim të atentatit ndaj deputetit të Shkodrës Doshi, vrasje e pretenduar prej tyre se do të kruhej me urdhër të kryeparlamentarit Ilir Meta.
 
Në seancën e parë për këtë akuzë, ku Doshi e Bami janë hetuar në masën e sigurisë "arrest shtëpie", avokati Ilir Murati që mbron Bamin dhe Tonin Prendi mbrojtës i Frrokut, kërkuan që dy klientët e tyre të gjykohen në çështje të ndarë nga Doshi, pasi asnjëri nga ta nuk gëzon mandat deputeti. Në këto kushte, Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi të pezullojë çështjen ndaj tyre dhe t'ia çojë për interpretim Gjykatës Kushtetuese. Do të jetë kushtetuesja e cila do të vendosë nëse Frroku dhe Bami do të gjykohen në Gjykatën e Tiranës apo në të Lartën bashkë me deputetin Doshi.
 
Mark Frroku hoqi dorë nga mandati pak ditë më parë ku e quajti veten "kurban të dekriminalizimit". Ai ndodhet në paraburgim në masë sigurie "arrest me burg" për akuzën e vrasjes së një shqiptari në vitin 1999 në Bruksel, të fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.
 
Gjykata e Lartë është shkalla më e lartë e drejtësisë për një qytetar të thjeshtë, ndaj nëse Frroku dhe Bami do të gjykohen në këtë Gjykatë, nuk ka shkallë tjetër ku ata të ankimojnë vendimin nëse do të merret vendim që i shpall ata fajtorë. Ndërsa, për deputetët është Gjykata e Lartë që i gjykon, e në rast ankimimi ata mund t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Prokuroria kërkoi që gjykimi të vazhdojë normalisht dhe të mos ketë pezullim të tij, por Kolegji Penal ja kalon kushtetueses, çka do të thotë se do të duhen disa muaj të merret vendim. Për dy-tre muaj kjo kërkesë do të qëndrojë në sirtarët e Kushtetuese, për të pritur shortin. 

Kjo ishte seanca e parë që Gjykata e lartë mbajti për Tom Doshin, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin.

SHKARKO APP