Frymëmarrje e re për ekonominë, të hënën rinis puna për disa biznese
Duke nisur nga dita e nesërme, dyqanet në qendrat tregtare, klinikat dentare, parukeritë dhe berberët do të hapin dyert e biznesit të tyre. Pas më shumë se dy muajsh të mbyllur për shkak të përhapjes së Covid-19, tashmë është radha e tyre të rinisin punën nën masa të shtuara higjienike.
Për secilin nga këto biznese në e-Albania janë të publikuara edhe protokollet përkatëse që duhet të ndjekin. Në të gjitha këto biznese përcaktohet se në hyrje duhet të sigurojnë dezinfektues duarsh për klientët, ndërsa punonjësit duhet të jenë të pajisur me maskë dhe doreza.
Protokolli përcakton se në asnjë rast në këto biznese nuk do lejohet të futet asnjë person me temperaturë mbi 37.5. Një javë më vonë pritet të hapen baret, restorantet, muzetë dhe galeritë e arteve.