FT: Shqipëria përgatitet për pasojat e mëdha, nga kriza greke

Shqipëria përgatitet për pasojat, nga kriza greke”.  Me këtë titull, në një artikull të sotëm, prestigjiozja  “Financial Times”  i kushton një vëmendje të veçantë pasojave të rënda ekonomike, afatshkurtra dhe afatgjata, që mund të sjellë kriza greke në vendin tonë. Artikulli është shoqëruar me një foto të dy emigrantëve shqiptarë që punojnë aktualisht në rrethinat e Athinës dhe deri diku pasojat pranohen edhe nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati..

“Shqipëria po bëhet gati për t’u përballuar me rreziqe të mëdha nëse do të ketë “turbullira” në fqinjin jugor, Greqi, çka do të detyronte me dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë të kthehen në shtëpi, duke ndërprerë përfundimisht burimin e të ardhurave për veten e tyre dhe për shumë familje të tjera shqiptare, në vështirësi ekonomike, në një nga shtetet më të varfra të periudhës post-komuniste, në Evropën Lindore.

Megjithatë, ministrat e qeverisë së majtë në Tiranë shprehin besim se sistemi financiar në Shqipëri mund të mos preket  nga stuhia greke, edhe pse tri bankat në Shqipëri janë me pronësi greke  dhe kontrollojnë thuajse 16 për qind të të gjithë aseteve, në sektorin bankar shqiptar.

Por mbi shqetësimet për kthimin e mundshëm të emigrantëve, Shqipëria në Ballkan mund të jetë e para që do të ndjejë efektet ekonomike dhe sociale nga gurgullima  e fundit e krizës që ka mbërthyer Athinën. Rreth 12 për qind e 3.2 milion shqiptarëve në Shqipëri jetojnë nën kufirin e varfërisë, sipas vlerësimit të Bankës Botërore, dhe jetojnë me vetëm 2 dollarë në ditë.

“Punëtorët emigrantë shqiptarë kanë shkuar vazhdimisht në Greqi që nga fillimi i viteve 1990,” tha  Ditmir Bushati, ministër i jashtëm i Shqipërisë, para një grupi gazetarësh të BE-së në Tiranë, këtë të mërkurë, mbi pasojat e mundshme të krizës greke në Shqipëri.  – “Kontributi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në Greqi dhe në Itali, gjithashtu ka qenë mjaft i dobishëm për mbështetjen e ekonomisë shqiptare. Nëse flasim ekonomikisht, ne i kemi ndjerë efektet e krizës greke.” Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit ranë nga 952 mln euro që ishin në 2007, në 544 mln euro gjatë vitit të kaluar. Rreth 180,000 emigrantë shqiptarë janë kthyer në shtëpi gjatë pesë viteve të fundit, pasi kriza në Greqi ka ardhur duke u intensifikuar, ndërsa me disa qindra mijëra shqiptarë, mendohet se jetojnë ende në mënyrë të paligjshme, – kryesisht në zonën e Athinës dhe qytetin verior port të Selanikut.

Rreziku tani është se edhe një numër i madh i emigrantëve shqiptarë, në qoftë se do të humbasin përfundimisht punën dhe kursimet e tyre në Greqi, do të kthehen në Shqipëri. Kjo do të shtyjë në një papunësinë shumë më të madhe në Shqipëri, që tani qëndron në 14 për qind të fuqisë punëtore. Por në një afat më të gjatë, efektet e kthimit të tyre do të ndihen edhe në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe gjithashtu sfidë e madhe do të jetë integrimi i fëmijëve të emigrantëve shqiptarë nëpër shkollat shqiptare, pasi shumë prej tyre kanë lindur apo janë rritur në Greqi dhe janë arsimuar deri tani në gjuhën greke.

Këto probleme janë konsideruar potencialisht serioze për Shqipërinë, që është në rrezik të infektimit financiar nga ana e Greqisë. Zyrtarët shqiptarë të bankës qendrore thonë se tre banka me pronësi greke kanë kapital të mjaftueshëm në më shumë se 17 për qind, ose mbi minimumin 14 për qind të nivelit të përcaktuar.

Sipas Z. Bushati, megjithatë, kriza greke mund të ketë përsëri pasoja mbi përpjekjet e fundit shqiptaro-greke për të lehtësuar tensionet mbi kufirin detar, mbi pakicat etnike dhe mosmarrëveshjet e tjera, disa prej të cilave shkojnë deri në kohën e luftës së dytë botërore.

“Në kohën e krizës së thellë ekonomike dhe financiare, këto probleme janë shumë më të vështira për t’u trajtuar. Retorika nacionaliste kthehet në modë në këto periudha, dhe kjo nuk do të krijojë një mjedis të favorshëm për atë që kanë të bëjnë me çështjet dypalëshe.”

Nikos Kotzias, ministri i jashtëm i Greqisë, për këto çështje do të vizitojë Tiranën më 15 korrik, por mbetet për t'u parë nëse ai do të mbërrijë me ide të freskëta për të lënë pas grindjet rreth asaj se si është vepruar midis të dy vendeve mbi kufirin detar në Detin Jon. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë anuloi një marrëveshje territoriale të nënshkruar me Greqinë, një vit më parë.

Një tjetër pikë e mosmarrëveshjes është se, sipas Tiranës zyrtare, mes Shqipërisë dhe Greqisë, edhe pse të dyja vende anëtare të NATO-s, janë po ashtu dy vende ende teknikisht në luftë, sepse parlamenti grek nuk ka shfuqizuar një dekret luftës së kaluar kur forcat italiane që kishin bazat në Shqipëri sulmuan Greqinë, në vitin 1940. Sipas pikëpamjes së Shqipërisë, kjo e pengon minoritetin e etnik shqiptare çam, që u dëbua nga Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore me pretekstin se bashkëpunuan me nazistët, të rikthehet dhe të rimarrë pronat që i janë konfiskuar në Greqi.”

Përgatiti: A. Muraçi/ Koha Jonë

SHKARKO APP