Fuçitë me mbetje toksike kancerogjene? Flasin të arrestuarit: Është vaj motori
Zbardhet dëshmia e të arrestuarve në lidhje me sekuestrimin e mbetjeve të rrezikshme kancerogjene në portin e Vlorës. ”Nuk është e vërtetë që ka fuçi me amiant. Në to ka vaj motori që përdoret gjatë udhëtimit në traget”. Ndërkohë disa prej të arrestuarve janë shprehur se nuk kishin lidhje me ngjarjen, pasi nuk e dinin se çfarë kishte brenda në fuçi.
Sipas rrëfimit të kapitenit, anija në pjesën e brendshme përmban material xham leshi, me qëllim të parandalojë futjen e ujit të detit brenda. ”Para pak kohësh kemi kryer remontin e plotë të anijes dhe për këtë kemi hequr dhe materialin xham leshi, që anija e ka për izolimin e ujit. Punëtorët kanë hequr materialin e vjetër duke e zëvendësuar me lesh xhami të ri. Materialin e vjetër e kemi grumbulluar në hambarin e anijes, pasi nuk kemi pasur mundësi ku ta hidhnim”.
Ngarkesa me mbetje të rrezikshme kancerogjene u kap në portin e Vlorës ditën e djeshme, kurse ditën e sotme po kryhet një inspektim në këtë port. Inspektimi është duke u kryer nga drejtori i portit i policisë dhe prefekti i qarkut Vlorë. Mbetjet vinin me traget nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë. Në pranga kanë përfunduar 6 persona përgjegjës, ndërsa është sekuestruar në në cilësinë e provës materiale trageti, një fugon mallrash dhe një sasi e madhe e dyshuar me mbetje amianti.
Gjatë kontrollit të hambarit të tragetit, policia e Vlorës gjeti 40 metër kub, i cili është lesh xhami, material ky që shërben për izolimin e pjesëve të brendshme të anijeve, në mënyrë që uji të mos depërtojë në brendësi të mjetit lundrues. Policia sekuestroi edhe mbi 10 fuçi me mbishkrimin “Eni”, që dyshohet të jenë të një kompanie italiane nafte në Itali. Sipas burimeve të policisë së Vlorës, materiali lesh xhami i gjetur në hambarin e tragetit, dyshohet se përmban lëndën e Amiantit, material kancerogjen që mendohet se groposej në rrethinat e Vlorës.
Çfarë është amianti?
Amianti është një fibër që përdoret për ndërtim, por paraqet rrezik për shëndetin, pasi shkakton sëmundje kancerogjene, si dhe shkakton ndotje në ambient. Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Brindisi-Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të rrezikshme amianti, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë. Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit.
KOHA JONË SONDAZH

