Fuga propozon planin për sigurinë e qytetarëve nga tërmetet: Bëhet për gjashtë muaj, jam gati ta projektoj
Akademiku Artan Fuga propozon planin që mund të relizohet për gjashtë muaj dhe që siguron e mbron njerëzit nga tërmetet shkatërrimtare, sikurse ishte ai i 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Në një postim në facebook, Fuga shkruan se toka nuk është pijaneci i lagjes që pasi pi tre apo katër gota bnën kërdinë dhe më pas të nesermen qetësohet.
Sipas tij vendi duhet të jetë i përgatitur për të përballuar me efektivitet katastrofat dhe për këtë ka një plan, të cilin është i gatshëm të dizajnoj vetë për rreth gjashtë muaj, ndonëse duhet një studim i hollësishëm, mjete dhe mbështetje.
Postimi i plotë:
Me “ishallah” nuk garantohet dot siguria kombëtare!
————————————————————-
Kombet e fuqishme dhe me besim te vetja përgatiten për tërmetet dhe dukuritë e tjera katastrofike.
Kombet e dobët e presin tërmetin me lutjen e kotë: Ishallah nuk bije më!
Ose më keq akoma : Ishallah bie andej tutje!
Ose : Ishallah kjo binaja ime mban!
Ose : ishallah bie por nuk vritem!
Ose : ishallah mbulohem me rrënoja por më nxjerrin qentë e lagjes!
Ose me rrena gjeologësh që kanë cof me kohë dhe nuk kanë asnjë teknologji moderne për të kapur sinjalet : U qetësua toka, nuk bie më aq i fortë! A thua se Toka është pijaneci i lagjes që pasi pi nja tre a katër gota bën sherrin e vet dhe pastaj të nesërmen qetësohet si deti pas fortune.
Ose : ishallah tani tërmeti i radhës i bie brezit tjetër!
Të gjitha shpresa të kota, dëshira njerëzish të pafuqishëm!
Ne duhet të përgatitetmi për tërmetin tjetër sikur ai të binte mos them sot, por nesër.
Unë propozoj planin që e siguron kombin duke rregjistruar dhe bërë gati të përdorshme të gjitha mjetet e rënda në zotërim të privatit dhe mijra njerëz me kurse e trajnime, që në kohë normale janë në punë të vet, kurse në ditë katastrofash mobilizohen si një trup i vetëm.
Mbrojtja civile qytetare kundër katastrofave.
Ne nuk mund të pranojmë që njerëzit ishin nën rrënoja dhe asnjë pothuajse makineri e rëndë nuk u mobilizua fuqishëm duke u zhvendosur në mënyrë të organizuar që në orët e para për të shpëtuar njerëz.
Mjetet e rënda të privatit me një mijë falenderime për të në kohë katastrofash janë përkohësisht pasuri kombëtare si e mirë publike.
Nuk di administrata jonë ta ndërtojë këtë strategji?
Unë jam gati ta dezajnoj strategjinë, por duhet një studim i hollësishëm, shumëdisplinor, nevojiten mjete dhe mbështetje. Por, me vullnet të mirë realizohet si projekt brenda gjashtë muajsh!
Përndryshe : ishallah nuk bie!
Lutuni milet!
Se ju dëgjon tërmeti dhe zbutet si Qenan K. që pasi pi, bën sherr, nis e qan i butë si mace pasaniku dhe kujton gjyshen e vet!