Fushata zgjedhore, Mërtiri: Edi Rama ka lidhje të fuqishme me krimin e organizuar, pa të cilin nuk fiton dot zgjedhjet
Sociologu Ergys Mërtiri i ftuar në studion e Ora News fillimisht u ndal te fushata zgjedhore të cilën e cilësoi të pazakontë jo për shkak të situatës pandemike në të cilën ndodhemi, por për faktin se kemi një politikan që është në qeveri dhe bën politikë të pazakontë.
Sipas Mërtirit, Edi Ramës i mungojnë nocionet bazë të të bërit shtet dhe për këtë arsye nuk duhet të jetë në krye.
Mërtiri gjithashtu u ndal edhe të ngjarja e ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Ai shprehet se Elbasani është kthyer në një qendër të nxehtë të krimit të organizuar dhe kryeministri Rama ka krijuar një partneritet me krimin e organizuar.
Nga dita e parë e nisjes së fushatës, deri tani si e keni parë?
Mërtiri: “Ka qenë një fushatë elektorale krejt e pazakontë, pro jo për shkak të pandemisë. Fushata është e pazakontë, për shkak se kemi një politikë të pazakontë, kemi një politikan që është në qeveri që bën politikë jo me mjete politike, kemi një kryeministër i cili ka prodhuar një klimë agresive, dhune dhe të ashpër. Është e vetmja qeveri në botë që bën fushatë negative duke përqeshur, duke sulmuar, pra e mbështet gjithë fuqinë e saj propogandistike tek sulmi ndaj kundërshtarit.
Si rrjedhojë për të kompensuar këtë pafuqi që ka për t’i thënë njerëzve se çfarë ka bërë, i duhet që të veprojë me gjuhë të ashpër, me mjete të dhunshme duke përdorur krimin e organizuar me qëllim që të mbijetojë.”
Zoti Rama gjatë mandatit të dytë krijoi një platformë që e quajti llogari-dhënia ndaj qytetarëve. Nuk u përdor gjatë kësaj fushate, çka do të ishte e rëndësishme. Dhe e dyta, është po e dyta fushatë që zoti Rama bën fushatë me simbolika, nuk bën fushatë me programe. Mund të shkojë përtej me një mandat të tretë?
Mërtiri: “Fushata e tij për llogari-dhënie ka qenë thjesht një farsë dhe një variant vulgarizimi i konceptit që vendet demokratike kanë për llogari dhënien. Ai e ka shpikur një koncept të llogari-dhënies që e ka vetëm Edi Rama. Ai shkon në popull, bën gallatë, tregon barcaleta, tallet me dynjanë, tallet me politikanët, tall vetë popullin. Këtë ai e quan llogari-dhënie dhe kjo është çmenduri. Edi Rama nuk ka nocionet më elementare të të bëri shtet, dhe kjo është një nga arsyet pse nuk duhet të jetë në krye. Ky nuk është shtet, kjo është politika e spektaklit. Karakteristikë e kësaj fushate është që Rama nuk qeveria, ai ka gjithë jetën e vet ku bën atë që quhet politikë e spektaklit. E vetmja gjë që prodhon nga kjo është “vrasja” e racionalitetit të votuesit. Nga gjithë kjo, përpiqet ta lodhë mendërisht votuesin, të tërheqë vëmendjen me gjithçka perveç se kthjellësia e tij për të bërë bilancet nëse duhet votuar kjo qeveri apo jo.”
Ditët e fundit duket se situata ka agravuar në tensione, vrasje, incidente, plagosje si dhe ngjarja e ditës së sotme në Elbasan, një nga qarqet më të nxehta.
Mërtiri: “Këto ngjarje janë rrjedhojë logjike e mënyrës se si është zhvilluar jo vetëm kjo fushatë, po i gjithë pushteti që ka krijuar Edi Rama. Nuk është më sekret se qëkur ka ardhur Rama në pushtet, ka pasur një dyfishim të mbjelljes së kannabisit. Paratë e kanabisit u investuan në fushatë. Qeveria Rama ka krijuar një partneritet me krimin e organizuar për të blerë vota dhe jo vetëm kaq por i ka vendosur disa eksponentë të krimit të organizuar në Parlament. Ka një lidhje të fuqishme të Ramës me krimin e organizuar, pa të cilin Rama nuk fiton dot zgjedhjet. Elbasani është kthyer në një vend të nxehtë të krimit të organizuar, i cili në historinë e tij është një qytet që s’ka pasur kurrë probleme të tilla, fatkeqësisht me Rilindjen është kthyer në një qendër të krimit të organizuar.”