”Gabimi më i madh është që u bëra ambasador”, Nano: Po të mos largohesha, do të përfundoja te doktor Petrela!
Mustafa Nano, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka folur për eksperiencën e tij si ambasador në Zvicër, të cilën e pëshkroi si një ndër gabimet më të mëdha në jetë. Nano tha se nuk ishte i prerë për këtë profesion dhe se ndihej si i burgosur, ndaj u largua. Ai u kërkoi falje personave që e mbështetën në këtë përpjekje, megjithatë tha se po të vijonte mund të përfundonte “te doktor Petrela”.
“Pata një velitje nga bota e gazetarisë. Vitë më parë kam patur një përvojë të shkurtër si diplomat, por ndodhi 97-ta dhe diplomacia ishte shumë partiake. Vendosa ta lija. Ishte edhe dëshira ime për tu bërë gazetar. Këtë herë ika sepse gazetaria më erdhi deri në fyt. Thashë po rimarr përvojën që kam patur. Rezultoi se ishte një nga gabimet më të mëdha të jetës time.
Unë shkova me dëshirën e mirë për ta bërë atë punë, për aq sa ndejta e bëra. E shijova për nja nëntë muaj. Pastaj në një moment të caktuar e pashë veten në një zbrazëti, nuk ishte për mua. Diplomatët janë njerëz që kanë një prerje të caktuar, kanë vokacionin e dinjitarit të shtetit që unë nuk e kam. Unë për 30 vite isha njeri i lirë, pa vartës, pa eprorë. Aty për herë të parë, kisha eprorë, kisha edhe vartës. Unë dua t’ju kërkoj falje të gjithëve, jo vetëm autoriteteve që e mbështetën kërkesën time, sepse kjo që bëra unë nuk është një gjë normale. Ishte ngjarje ku përfshihen shumë vetë, e dekretoi Presidenti, isha në komision parlamentar, u rrethova me shumë dashamirësi. Këta nuk e kanë pritur, por u kërkoj falje. Arsyeja, nuk ishte punë për mua, e gjeta veten keq. Nëse insistoja për të ruajtur nderin e punës, mund të përfundoja te doktor Petrela. Ishte konflikt mes punës që bëja unë dhe personit.
Pati shumë gjëra, shkova me idenë që do të jem aktiv si ambasador, mund të bëj ndonjë shkrim për marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Shqipërisë. Mendoja se mund të jepja ndonjë intervistë, dhe këta duhet ti japin leje ambasadorit ta bëjë. Nëse një gazetë donte intervistë, unë duhet të merrja leje në ministri. Ata nuk kishin frikë se mos dilja nga linja, sepse unë këtë gjë e dija, por e kishin si praktikë. Edhe një shkrim që mund të publikoje për të mbrojtur nderin e sojit shqiptar, do merrje leje. Unë nuk kam marrë leje kurrë për të bërë shkrime.
Mbaj mend që një televizion donte intervistë për çështjen Ahmetaj dhe unë nuk shihja ndonjë të keqe aty për të folur. U thashë gazetarëve okej, njoftova ministrinë e jashtme dhe më thanë jo. E pashë veten të burgosur dhe thashë, po arratisem. Ky është një profesion që do njerëzit e vet, jo njerëz si puna ime apo si puna jote. Ato gjëra që duken në distancë i ka, klasi, elegance, ti mund ti shijosh këto, por njerëzit që kanë prirje për këtë, janë të prerë për këtë, u heq kapelen. Në ambasada sot nuk ka çështje të natyrave politike. Ishte vendim i gabuar, ishte ndër më të gabuarit në jetë. E ndjej për detyrim t’u kërkoj falje aty njerëze që u përfshinë në atë histori. Dua që kolegëve që pata për një vit e gjysmë, janë njerëz që janë diplomatë karriere”, tha Nano.
KOHA JONË SONDAZH

