Gaetano Castelli nderohet me titullin ”Naim Frashëri”, Presidenti Begaj vlerëson figurën e skenografit italian
Gaetano Castelli, një nga skenografët më të rëndësishëm në botë është dekoruar nga Presidenti shqiptar Bajram Begaj me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin në vlerësim të kontributit unik në Shqipëri duke materializuar në skena të ndryshme magjinë e tij të skenografisë.
“Është kënaqësi për mua t’i jap titullin ‘Naim Frashëri’ duke ju uruar një jetë artistike aktive përpara ku publiku juaj, ku të gjithë ne, të kemi mundësinë të vazhdojmë të emocionohemi”, tha Presidenti Begaj.
“E dashuroj Shqipërinë, e zbulova 15 vjet më parë falë Arditit kështu që për mua është një çmim shumë i rëndësishëm për faktin se jepet nga Presidenti por edhe nga artistët. Televizioni Klan ka një imazh që mund të krahasohet qetësisht me të gjitha televizionet europiane”, u shpreh Castelli.
Skenografi i 21 edicioneve të Sanremos, autor i shumë veprave që nga Las Vegas e Macao në Kinë, aktualisht drejtor artistik i “Moulin Rouge” jep kontributin e tij në Shqipëri që prej vitit 2008.
“Ardhja e Gaetano Castelli-t në Shqipëri solli në ekranin tonë një ndryshim rrënjësor sa i përket pjesës vizive të programeve. Nisi me ‘Këngën Magjike’, pastaj ndryshimin e madh në televizion e bëri me ‘Të Dielën Shqiptare’, pastaj vazhdoi me programin ‘Gjeniu i Vogël’, ‘X Factor’, ‘Maratonën e Këngës Popullore, ‘100 Vjet Muzikë’, më pas me studion e emisionit ‘Opinion’, me studion e lajmeve, ‘Piter Panin’, me të gjitha programet e këtyre 15 viteve të fundit mbajnë firmën e talentit Gaetano Castelli”, tha drejtori i përgjithshëm i Tv Klan, Aleksandër Frangaj.
“Kur thua Gaetano Castelli ke thënë gjithçka. Unë nuk di që në botë të ketë një skenograf televiziv më të mirë se ai dhe këtë nuk e them unë, por e thonë të gjithë dhe mendoj që Zoti më do fort që në jetën time dhe në punën time ka sjellë Gaetano Castelli-n”, ishin fjalët e producentit Ardit Gjebrea.
Emra të rëndësishëm të artit, kultures, politikës dhe medias shqiptare, personazhe që kanë patur bashkëpunime me Maestro Castelli-n, ishin pjesë e ceremonisë së dekorimit.
KOHA JONË SONDAZH

