Gafa e madhe në Miss Universi, i jep kurorën vajzës së gabuar (VIDEO)

 

Miss Universi 2015, zhvilluar mbrëmë në Las Vegas, përfundoi me një gafë të madhe, teksa drejtuesi i spektaklit tha emrin e gabuar si fituese.

Ariadna Gutierrez Arevalo nga Kolombia ishte kurorëzuar si më e bukura e universit dhe po përshëndeste shikuesit në sallë, kur drejtuesi Steve Harvey, me një pamje të tmerruar, rikthehet për të njoftuar gabimin e tij.

“OK, njerëz, më duhet të kërkoj ndjesë”, tha ai duke u rikthyer në skenë, aty ku Arevaldo gjithë krenari ua bënte me dorë admiruesve. “Kolumbia është shoqëruesja e parë e Missit, ndërsa Miss Universi 2015 është Filipinet”.

Kamera u kthye menjëherë nga Miss Filipinet, Pia Alonzo Wurtzbach, e shtangur, e cila filloi të dilte ngadalë në krye të skenës. Për disa sekonda të sikletshme dy vajzat qëndruan përkrah, para syve të miliona teleshikuesve nga e gjithë bota, para se Harvey të shpjegonte se e kishte lexuar gabim letrën ku ishin emrat e fitueses dhe të vendit të dytë.

“Marr përsipër përgjegjësinë e plotë, ishte gabimi im”, i tha turmës. “Është e shkruar në letër… gabim i tmerrshëm, por mund t’ua tregoj, ja ku është”, duke mbajtur lart letrën me emrat. “Gabova, por prapë mbetet një mbrëmje e madhe. Ju lutem, mos u vini faj vajzave. Ndihem shumë keq”.

Ndërsa ai fliste, ish-Miss Universi ia hoqi kurorën Arevalos dhe ia vuri mbi krye filinases. Transmetimi u ndërpre pak çaste më vonë.

Ngjarja që zhgënjeu shumë shikues u quajt si “dështimi i dekadës”.

SHKARKO APP