Gajo: ”JO” e pritshme, në BE nuk hyhet me lutje
Ish-zv/ministri i Integrimit Europian, Albert Gajo thotë se në Europë nuk hyhet si një mbetës që përpiqet në momentin e fundit të gjejë miq për të kaluar klasën. ”Në përgjithësi, BE dihet që vendimet e rëndësishme në dobi të bllokut i merr me consensus”. Gajo bëri një diferencë mes Gjermanisë dhe Francës, se si duhet ta kuptojmë lidershipin e tyre në Europë. Sipas tij JO-ja e Francës është e gjithë unionit.
”Kemi një BE që punon në dy drejtime. Kemi lider ekonomik që është Gjermania dhe kemi një lider politik që është Franca. Jo-ja e Francës përkthehet në një ”Jo” të të gjithë BE, pasi Franca e përcakton axhendën politike të të gjithë unionit. Nuk mund ta konsiderosh Jo-në e Francës si të një vendi periferik”.
Edhe Merkel një “Po” me gjysmë zëri tha, sipas ekspertit të çështjeve të integrimit dhe ekonomisë. Sipas tij, ne e dimë shumë mirë që nuk i kemi plotësuar detyrat: “Si shqiptarë, e dimë shumë mirë që edhe Reforma në Drejtësi nuk po zbatohet, jo për faj të Francës dhe Gjermanisë por për faj se ne nuk gjejmë dot 10 gjyqtarë që të kalojnë Vetting-un. Kjo sepse vetë sistemi që ka krijuar politika ka prodhuar një gjyqësor e prokurori që nuk gjen dot 10 figura të sakta. Është produkt skarco që nuk mund ta shesim si produkt të mirë në BE”.