Gara për Avokatin e Popullit, peng i mosmarrëveshjeve politike
Zgjedhja e Avokatit të Popullit vijon të mbetet peng i mungesës së konsensusit politik, ndërkohë që janë zyrtarizuar 7 emra kandidatësh që kanë mbledhur firmat e jo më pak se 28 deputetëve nga lista me 15 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore.
Kuvendi bëri të ditur në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se kandidaturat për Avokat të Popullit që kanë siguruar mbështetjen me firmë dhe i kanë depozituar në Kuvend janë: Vitore Tusha, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Bledar Dervishaj, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga.
Dy prej kandidatëve, Vitore Tusha dhe Tartar Bazaj vijnë nga një karrierë në sistemin e drejtësisë, ndërsa kandidatët e tjerë vijnë nga avokatia. Me rihapjen e garës në korrik, shprehën interesin si kandidatë edhe Ahmet Prençi, Alket Jaupi, Drita Avdyli, Endri Papajorgji, Ilirjan Rusmali, Lefterije Lleshi (Luzi), Robert Gajda e Sokol Hazizaj.
Sipas parashikimeve ligjore, vetëm kandidatët që marrin mbështetjen e 28 deputetëve do të kenë mundësinë të votohen në Kuvend dhe zgjidhet me 3/5 e të gjithë anëtarëve. Në praktikën parlamentare të së shkuarës, Avokati i Popullit është propozuar përgjithësisht nga opozita, por këtë radhë, maxhoranca dhe rrymat e ndryshme brenda opozitës nuk po gjejnë konsensus, duke shkelur afatet kushtetuese për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni.
Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall fillimisht nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022 pas përfundimit të mandatit të Erinda Ballancës. Thirrja u shty disa herë, ndërsa grupet parlamentare të dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, deklaruan se po negocionin për një emër konsensual duke i qëndruar traditës politike për të mbështetur një emër që vjen nga opozita.
Por edhe pas negociatave, Kuvendi nuk arriti dot të zgjedhë Avokatin e ri të Popullit, pasi mazhoranca rrëzoi me votë dy kandidatët e opozitës që u hodhën në votim, Ledio Braho dhe Altin Goxhaj. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje./Reporter.al/