Gara për Elbasanin, kandidati Luçiano Boçi: Do kërkoj votën e moshës së tretë, do t’u krijoj ambient argëtues
Elbasani është një nga 3 bashkitë kryesore në vend, rezultati i së cilës tregon shumë për trendin e 14 Majit. Luçiano Boçi, ish-deputet, drejtues i PD-së prej vitesh atje, është kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, dhe është emri konsensual që i bashkoi demokratët pavarësish krizës 2-vjeçare dhe ndarjes së madhe.
Boçi theksoi se synimi i tij është që ta shkëpusë bashkinë nga roli i saj tradicional. I pyetur se çfarë do të bëjë ndryshe për të bindur elektoratin gri, Boçi solli në vëmendje faktin që në 16 vite qyteti drejtohet nga e majta, dhe sipas tij qytetarët duhet ta kenë të qartë tashmë se çfarë nuk shkon.
“Alternativa ime përfshin ndërhyrje gjeneralë por edhe kapilare. Do të marr iniciativa që ta bëjnë atë të riun të qëndrojë, të arsimohet ose të punësohet”,-shtoi Boçi. Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për kryebashkiak theksoi se ai sytë do t’i kthejë nga mosha e tretë. “Me moshën e tretë duam të krijojmë marrëdhënie shumë miqësore. Pensionet s’i rrit dot bashkia, por bashkia mund t’i ndihmojë”,-tha më tej Boçi.
Luçiano Boçi tha se do të kërkojë që të moshuarit ta votojnë duke u zotuar se do t’u krijojë ambientin e duhur që të mos rrinë të vetëm, pasi rinia është larguar jashtë.
”Do ta çoj në një ambient argëtues që të ndihet i vlerësuar. Pensionin do mundohem ta përmirësoj me kartën e pensionistit. Që është pajisja me një të drejtë për të pasur një favor të vogël financiar. Dhe me bonusin social”,-tha më tej Boçi.