Gara për FBI-në shqiptare, shkon në Gjykatën Administrative

Procesi për Byronë Kombëtare të Hetimit, është paditur këtë të hënë në Gjykatën Administrative nga aplikantët të cilët u skualifikuar nga gara. Ata kërkonë që i gjithë proçesi të shpallet i pavlefshëm. Në paditë e përpiluara prej tyre, kandidatët shprehen se në testin fizik nuk ka pasur përcaktim të kritereve dhe pikëve siç ishin përcaktuar në fazën e parë, atë të testit logjik.

“Unë paditësi në këtë fazë kam marrë 24 pikë nga 30 pikë që ishte maksimumi me numër rendor 153. Duke krahasuar testin fizik me atë logjik, po ju parashikoj ndryshimet e evidentuara gjatë zhvillimit të testeve: Nuk është përcaktuar asnjë minimum pikësh për testin fizik, krahasuar me procedurat e ndjekura me testin logjik, duke krijuar bindjen se gjatë fazës së vepruar me standard tjetër. Në faqen zyrtare të BKH-së nuk është publikuar mënyra e mbledhjes së pikëve dhe mënyra e vlerësimit, duke mos qenë transparent krahasuar me testin logjik. Nuk është pasqyruar mënyra e përzgjedhjes së aplikantëve në testin fizik, duke dëmtuar imazhin e një institucioni. Nuk kam informuar pavarësisht kërkesës time si aplikant, gjatë fazës së testimit fizik, se sa do të ishte minimumi i nevojshëm për kalimin e fazës tjetër, duke treguar mungesë transparence. Gjatë testimit për çdo normë fizike është mbajtur një procesverbal ku janë përshkruar rezultatet individuale të çdo kandidati. Ky rezultat nuk është vlerësuar në moment por 3 ditë më vonë, veprim i cili ishte totalisht i ndryshëm nga testi logjik, ku rezultatet ishin në kohë reale dhe në prezencë të kandidatëve”, thuhet në një nga paditë.

Byroja Kombëtare e Hetimit ka hapur aplikimet për grupin e ri të hetuesve. Në fund të këtij procesi do të zgjidhen 60 hetues që më pas do të trajnohen nga FBI dhe do të përbëjnë të gjithë grupin e hetuesve në BKH, e cila do të hetojë zyrtarët e lartë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Pak ditë më parë aplikantët iu nënshtruan testit fizik, ku vetëm 103 prej tyre kaluan me sukses këtë fazë.

SHKARKO APP