Gara për FBI-në shqiptare, të skualifikuarit drejt kallëzimit penal
Gara për të qenë pjesë e FBI-së shqiptare (Byroja Kombëtare e Hetimit) ka shkaktuar pakënaqësi dhe ankesa nga 300 të skualifikuarit. Komentet negative për mungesë transparence janë drejtuar edhe në faqen e ambasadës amerikane, ndërsa kandidatët që kanë pretendime mësohet së po përgatisin një kallëzim penal.
Në fazën e 3-të të garës për BKH-në, kaluan shumica e kandidatëve që në testin logjik kishin marrë pak pikë. Në mesin e 300 kandidatëve që u skualifikuan në testin fizik, një pjesë e mirë e tyre në testin logjik kishin marrë pothuajse pikë maksimale.
Për këtë nuk kanë munguar komentet negative ne drejtim të ambasadës amerikane që mbështet krijimin e BKH-së, ndërsa mësohet se disa prej kandidatëve që kanë pretendime, do t’i drejtohen instancave me një kallëzim penal për manipulim të rezultateve. Garën për 60 hetuesit e njësisë së specializuar të policisë gjyqësore që do të hetojë veprat penale nën juridiksionin e SPAK e vijojnë 103 kandidatë, nga të cilët 21 femra. Faza e radhës vijon me testin e esesë, për të vazhduar më pas me testin e poligrafit dhe intervistën e strukturuar.