Gara për kreun e PD, Kadilli me demokratët e degës 2 në Tiranë: Rama nuk largohet duke thirrur “Rama ik”
Kandidati në garën për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli zhvilloi sot një takim me demokratët e degës 2 në Tiranë, nga ku nuk la pa shigjetuar edhe kreun aktual të të djathtëve, Lulzim Bashën.
Sipas Kadillit, Rama nuk largohet nga pushteti duke thirrur ‘Rama ik’, duke ironizuar protestat e opozitës, ndërsa thekson se, sipas tij, Basha e ka kuptuar gabim opozitën.
Kadili u shpreh se PD, nën drejtimin e Bashës u fokusua tek kauza të vogla, duke përmendur çështjen e Teatrit dhe Astirit, por shton se opozita nuk mund të identifikohet me këto kauza. Kadilli vuri theksin te nevoja për kauza programore dhe jo kauza ‘rastësore të gjetura në rrugë si sende’.
“Ai nuk largohet duke i thënë ‘Rama ik’, duhet të jemi ne të zotë të ngremë një baticë të madhe elektorale për ta përjashtuar atë nga pushteti. Nëse nuk e bëjmë dot këtë, nuk është faji i askujt, përveç liderit. Ndaj mora vendimin por të dalë këtu sepse e kam parë sesi e ka kuptuar gabim ai opozitën, ka shkuar drejt një opozite spontane me kauza që i gjen në rrugë si sende. Si Astiri, dializa, pse këto ishin hapësirat e vetme korruptive? Do kaloni mbi trupin tonë për të bërë këtë apo atë, me kauza të vogla. Opozita jep mbështetje morale por nuk mund të identifikohemi ne me kauza. I harxhon energjitë 1 vit e gjysmë me Astrin, ndërsa ata morën lekët në xhep e ikën se kishin ndërtime pa leje, kjo është të mos bësh kauza programore, por rastësore që mbyllen në mënyrë shumë të paqartë. Kjo është të konceptosh totalisht gabim”, u shpreh Kadilli.