Gara për kryetarin e PD-së, Gjekmarkaj: Basha të tërhiqet nga tentativa, ndryshe do bëhet personazh memesh
Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj nuk e mbështet rikthimin e Lulzim Bashës në krye të PD-së së vulës, pas disfatës të opozitës në zgjedhjet e 14 Majit. I ftuar në Report, deputeti demokrat tha se Basha së bashku me Sali Berishën duhet të bëjnë hapa pas në mënyrë që të rikonceptohet PD. Sipas Gjekmarkajt, asnjëri prej tyre nuk sjell alternativë për shqiptarët dhe këtë e kanë treguar rezultatet e zgjedhjeve.
“Nëse sot del e thotë se mund të jem risia e fituesi, nuk e di sa seriozisht mund të merret nga njerëzit. Unë personalisht kam respekt nga ana njerëzore. Në Shqipëri kishte ardhur koha të ndërrohej pushteti, por opozita jonë nuk i ka bindur shqiptarët që të jetë e denjë për të ardhur në qeveri. Dalin e shajnë votuesit.
Njerëzit të mbështesin nëse u jep perspektivë. Është një fluks i rëndësishëm votash, është bazik. Nuk funksionon duke i thënë Berishës ik, largohu ti që të vijmë ne. ai duhet të bëjë disa hapa pas që PD të rikonceptohen.
Të njëjtën ta bëjë dhe Basha që të mos bëhet personazh memesh. Belind Këlliçi mund të ishte rezultat më i mirë po të mos ishte i atashuar me Berishën. Basha tenton të kthehet e të marrë gjënë e mbetur”, tha Gjekmarkaj.