Gara për rektor, Dibra: Procesi është njollosur, pala tjetër po manipulon

Prof.Dr Klodeta Dibra, e cila është kandidate për Rektore në Universitetin e Tiranës e cilëson dëshpëruese, faktin se univeristeti s’po i shpëton dot ndërhyrjeve politike.

“Politika po bëhet pjesë e garës universitare. Kjo është dëshpëruese. Ky është një proces që nuk shpëton dot nga ndërhyrjet politike. Kjo që ka ndodhur është një njollë e këtij procesi. Ky proces është njollosur për sa kohë kemi kërcënime të pedagogëve,” tha Dibra.

E pyetur nga Report Tv, mbi kërcënimin e kandidatit tjetër Mynyr Koni, nga Emiljano Shullazi, Dibra thotë se distancohet nga çdo lloj kërcënimi.

“I kërkoj policisë dhe prokurorisë ta zbardhin. Nëse është një e vërtet të zbardhet nëse është një sajesë të zbardhet,” shprehet ajo.

Për rastin në fjalë Dibra thotë se i ka kërkuar rivalit të saj, që të dalin në një konferencë për shtyp për të sqaruar opinionin publik.

Po ashtu ajo hodhi edhe akuza ndaj palës tjetër par manipulim të procesit zgjedhor, pasi sipas saj pedagogët janë thërritur në zyrën e dekanit Mynyr Koni në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

“Pedagogëve u është ofruar para kundrejt votës. Studentëve u është kërkuar mbështetje përmes provimeve. Pala tjetër ka mekanizma për të manipuluar votën. Pedagogët janë thirrur në zyrën e dekanit Mynyr Koni. Pedagogët janë kërcënuar me fotografim të votës,” denoncon ajo.

E pyetur për Shullazin, Klodeta Dibra thotë se e njeh atë vetëm përmes mediave si një personazh të inkriminuar.

SHKARKO APP