Gara shpejtësie nga të rinjtë, shteti të ndalojë këtë bilanc viktimash që i ngjan një lufte
Ditët e fundit, aksidentet rrugore u kanë marrë jetën të rinjëve, duke rikthyer në opinionin publik një debat të madh për shoferët minorenë. Tre të rinjë humbën jetën të dielën dhe shteti duhet të vërë në veprim strategji për të ndalur sa më shpejt këtë bilanc viktimash që ngjan me një situatë lufte. Edhe në Elbasan të rinjtë i shohin rrugët si pista për gara dhe lëvizin me shpejtësi përtej normave të lejuara. Mjeti i drejtuar nga një 24-vjeçar ka dalë nga rruga e për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi, ndërsa vajza që udhëtonte me të, 20 vjeçe, ndodhet në gjendje të rëndë. Kjo rrugë me kthesa të forta dhe pjerrësi të konsiderueshme përdoret nga të rinjtë për gara me makina.
Rruga e Krastës përdoret masivisht nga qytetarët për ecje dhe vrap e megjithëse një tabelë sinjalizon ndalimin e qarkullimit të mjeteve, këtu lëvizja e makinave bëhet normalisht duke rrezikuar ata që e përdorin këtë ambient për ecje. Edhe më problematike situata bëhet kur kjo rrugë përdoret për gara dhe në asnjë rast nuk janë marrë masa nga policia deri sa sot një vajzë e re ndodhet në rrezik për jetën. Për ekspertin e Sigurisë Rrugore, Gëzim Hoxha, fenomeni i të miturëve në timon është tepër shqetësues për shoqërinë. Ai thotë se ne duhet të edukohemi si popull. Për të infrastruktura, konsumimi i pijeve aloolike dhe shpejtësia tej normave të lejuara janë faktorët kryesorë të një aksidenti.
“Fëmija nëse nuk mbush moshën nuk shkon në kurs të rregullt, nuk duhet ti japi makinës. Ka shumë prindër që mendojnë se t’ja mësoj makinën fëmijës që të vogël, se e mësoj unë. Ka kushte të vështira që duhet patjetër ti bëjnë në autoshkollë, për të cilët edhe unë kam vërejtjet e mia sepse autoshkollat janë mbushur me specialist jashtë profilit transport. Edhe atje, nëse mësimi të bëhet në rregull, nuk bëhet teori ngjarje. Ka qenë një lëndë që unë e kam bërë në fakultet, 400 orë teori ngjarje. Makina nuk është aq e lehtë sa e mendojnë këta. Është më e lehtë avioni se sa makina”.
Ngjarjet e fundit janë pasojë e gabimeve zinxhir të cilat nuk nisën te adoleshentët dhe nuk mbarojnë tek ta. Nisin nga prindërit që lejojnë të birin t’i jep makinës pa patentë, te restoranti që lejon të miturit të konsumojnë alkool. Te indiferenca e kalimtarëve që mbrëmjen e së dielës panë disa të rinj që garonin në autostradë dhe nuk reaguan. Te policët që duhet të ishin në vendin e duhur dhe kohën e duhur për t’i thënë stop vrapimit drejt fundit pa kthim. Të gjithë kur ndodhin tragjedi të tilla përmendin shtetin dhe me shumë të drejtë sepse shkelja e rregullave në qarkullim është pothuajse i përditshëm dhe shkelësit arrijnë t’ia hedhin ligjit, diku me njohje diku me para në dorë.