Garda kërkon 50 punonjës të rinj, lexoni kriteret!

Ministria e Brendshme ka shpallur 50 vende të lira pune në Gardën e Republikës për gradën inspector.

Sipas shpalljes së bërë në faqen e ministrisë, kandidatët duhet që të dorëzojnë aplikimet e tyre deri më datë 20 tetor dhe të mos jetë më shumë se 30 vjeç.

Lexoni kriteret:

KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJNË KANDIDATËT:

a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë;
ç) të ketë përfunduar arsimin e mesëm;

d) të jetë i moshës 19-30 vjeç;
dh) të jetë i aftë nga ana shëndetësore për të kryer shërbim në struktura që, sipas ligjit, lejohet të mbajnë armë;
e) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
ë) të mos jetë në ndjekje penale;

f) të mos jetë përjashtuar ose larguar nga puna për shkelje ligjore apo disiplinore; g) të mos i jetë hequr e drejta e ushtrimit të funksioneve në administratën publike me vendim gjyqësor të formës së prerë. gj)preferohen me gjatësi trupore jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe 170 cm për femrat; Aplikanti që nuk plotëson qoftë edhe 1 nga kriteret e mësipërme, nuk kualifikohet dhe nuk duhet të vazhdojë aplikimin.
DOKUMENTET QË DUHET TË PARAQESIN KANDIDATËT

Aplikantët duhet të paraqesin në fazën e parë të konkurrimit dokumentet e mëposhtëm:

Kërkesë
CV (Curiculum vitae)
Kopje të kartës së identitetit
Dëftesën e shkollës së mesme ose listë notash, të cikluar në Drejtorinë Arsimore të Rrethit, të fotokopjuar dhe të noterizuar
Vërtetim nga Gjykata
Vërtetim nga Prokuroria
Raport i aftësisë në punë (sipas shtojcës V, të VKM nr.596, datë 4.9.2019), nga mjeku i familjes
Dëshmi për kualifikimet e kryera (nëqoftëse ka)
Deklaratë personale mbi pastërtinë e figurës (Plotësohet kur aplikanti paraqitet për testim)
Dy foto (9 X 12) me këmishë dhe kollare.
Dokumentet do të dorëzohen nga aplikanti në adresën: Garda e Republikës, Rruga e Elbasanit, Pallati i Brigadave, Tiranë, brenda datës 20 tetor 2023. Aplikanti do t’i nënshtrohet intervistës dhe vlerësimit psikologjik, ditën e dorëzimit të dokumenteve.

SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT

Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 3 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve. Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet.

Aplikanti ka të drejtën e ankimit brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Komisioni i apelimit shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 2 ditëve nga data e marrjes së ankesës me telefon ose adresë e-mail.

TESTIMI I KANDIDATËVE

Kandidatët e kualifikuar në fazën e dorëzimit dhe kontrollit të dokumenteve, duhet të paraqiten në orën 08:00 të datës 25 tetor 2023, në adresën: Qendra e Aftësimit Profesional të Gardës së Republikës, Mullet, Tiranë.

Kandidatët do t’i nënshtrohen testimit në tre faza:

Vlerësim i aftësive shëndetësore
Intervista dhe testi psikologjik
Testim i aftësive fizike
Aplikanti skualifikohet në rastet e mëposhtme:

a) nuk kalon kontrollin shëndetësor
b) nuk kalon testin psikologjik;
c) nuk kalon testimin e aftësive fizike;
d) nuk paraqitet në kohën e caktuar në një nga fazat e testimit;
Kandidatët aplikues që të kualifikohen, duhet që në testimin fizik bazë të arrijnë rezultatin minimal 50 pikë. Renditja e kandidatëve do të bëhet sipas rendit zbritës të pikëve.

KOMUNIKIMI I REZULTATEVE TË KONKURIMIT

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, të gjithë kandidatët fitues në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike (e-mail personal) ose me telefon nga Garda e Republikës.

SHKARKO APP