Gardisti vrau gruan pas debatit për… karikuesin e telefonit

Autori i krimit në familje, gardisti Admir Dervishi, ka pranuar para hetuesve autorësinë e krimit, por në gjendje të rënduar psikologjike është shprehur i penduar, duke përsëritur frazën, “Nuk doja ta vrisja…”.

E megjithatë, ai ka shpjeguar rrethanat e krimit, duke pyetur herë pas here për shëndetin e gruas së tij, pasi dyshonte se ajo mund të ishte e plagosur dhe nuk kishte vdekur.

Ai ka treguar se ka qenë një debat për arsye shumë banale mes tij dhe së shoqes, që as vetë nuk e ka parashikuar se mund të mbyllej në atë mënyrë.

Sipas dëshmisë së tij, duke qenë se po nxitonte për të shkuar në punë, pasi ishte me vonesë, është zënë me gruan për karikuesin e telefonit që ajo nuk po ia gjente, raporton Panorama.

Më pas, në debat e sipër, i ka përmendur emrin e një personi mashkull, duke i thënë se mos ia kishte dhënë atij dhe pas këtij momenti, situata i ka dalë jashtë kontrollit.

Teksa i bërtiste të shoqes në korridorin e apartamentit dhe ajo nga ana tjetër bënte të njëjtën gjë, për shkak se u ndje e fyer, 29-vjeçari ka nxjerrë nga brezi armën dhe ka qëlluar në drejtim të saj, duke e lënë të vdekur.

Megjithatë, ai ka pretenduar para hetuesve se ka menduar që e shoqja ishte e plagosur dhe herë pas here i ka pyetur për shëndetin e saj, deri sa i kanë konfirmuar se ajo ka vdekur.

“Isha vonë për në punë. Po nxitoja të dilja dhe pashë që telefoni nuk kishte shumë bateri dhe do më fikej. I thashë Ildës të më gjente karikuesin, por ajo nuk po e gjente dhe unë po vonohesha edhe më shumë. I bërtita se isha shumë vonë”, ka nisur rrëfimin e tij në Polici gardisti Dervishi.

“I thashë: ‘Mos ia ke dhënë… filanit karikuesin që nuk po e gjen. Ajo u ndje keq, sepse në fakt kishim debatuar edhe më parë për këtë çështje. Unë thjesht isha xheloz, jo se ajo kishte vërtet diçka me atë person. Ajo ishte bashkëshorte dhe grua shumë e mirë. Por kur ajo m’u hakërrye pas asaj që i thashë, ndoshta edhe me të drejtë, unë dola nga vetja dhe nuk ia fal më vetes atë që kam bërë”, mësohet të ketë thënë i arrestuari në Polici.

SHKARKO APP