Gati një vit Covid-19 në Shqipëri, 1816 vdekje dhe afro 108 mijë të prekur
Më 9 mars bëhet një vit që në Shqipëri u zbulua rasti i parë me Covid-19, dhe sot situata vijon të mbetet e rëndë, madje edhe më kritike ishte në muajin që lamë pas.
Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se kanë ndërruar jetë edhe 20 persona të prekur me Covid-19, duke e çuar në 1,816 numrin total të personave që e kanë humbur betejën me këtë virus.
Situata është rënduar edhe në spital, ku kemi një shtim të ndjeshëm të pacientëve të shtruar. Aktualisht, sipas shifrave të fundit nga ministria, janë 659 të shtruar, 43 në terapi intensive, nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar.
Lajmi i mirë është se deri tani nga 107931 persona të infektuar në total, 70413 prej tyre kanë arritur të mposhtin Covid-19. Shpresëdhënës është procesi i vaksinimit që po vijon në disa qytete, me 14295 të vaksinuar në total.